Demarkacioni drejt ratifikimit apo anulimit

Prishtinë | 21 Kor 2016 | 16:36 | Nga

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, së shpejti pritet të marrë një përgjigje definitive nga Kuvendi i Kosovës. Opsionet janë ratifikimi apo anulimi i saj.
Pas shumë deklaratave për dhe kundër të shprehura kryesisht nëpër media, më 3 gusht, pritet që për herë të parë të ketë një ballafaqim të fakteve dhe argumenteve ndërmjet mbështetësve të Marrëveshjes aktuale që është nënshkruar me autoritetet e Malit të Zi që nga fundi i gushtit të vitit të kaluar në Vjenë dhe atyre që e kundërshtojnë atë.

Debati në formë tryeze është thirrur nga Kryesia e Kuvendit, ku janë ftuar edhe ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Kjo tryezë nuk ka karakter vendimmarrës, por llogaritet se do t’i paraprijë seancës vendimmarrëse në Kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci mbështet shterjen e të gjitha debateve, para se kuvendi të merr hapin final të ratifikimit të marrëveshjes.

“E shoh të domosdoshëm që paraprakisht të kemi një debat edhe me shoqërinë civile, me qëllimin më të mirë që të shfrytëzohen të gjitha mjetet e mundshme, të dëgjohet zëri dhe arsyeja e gjithë akterëve që kanë të thonë për këtë çështje dhe debati final duhet të zhvillohet në kuvendin e Kosovës”, ka thënë Grabovci për Radion Evropa e Lirë.

Debati për Demarkacionin ka pasuar nismën e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar marrëveshjen aktuale duke pretenduar se me të, Kosova humb një pjesë të territorit buzë kufirit me Malin e Zi.

Bulliqi thotë se zgjidhja e problemit fillon me formimin e komisioneve nga të dy shtetet për rishikimin e marrëveshjes.

“Ekzistojnë faktografi të mjaftueshme se ka ekzistuar një linjë apo një vijë kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, prandaj krejt puna që mbetet është që ekspertët të dalin në terren dhe ta bëjnë shënjimin apo vijëzimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Bulliqi.

Sa vjen kah finalja, debati për Demarkacionin po përcillet edhe me disa mesazhe të dy personaliteteve kryesore që ishin protagonist të marrëveshjes me Malin e Zi, përkatësisht të presidentit aktual, Hashim Thaçi dhe kryeministrit, Isa Mustafa. Të dy, nuk shprehen kundër debatit, por janë deklaruar së fundit se marrëveshja aktuale me Malin e Zi është e drejtë dhe duhet të ratifikohet.

Por, deklarata të tilla të liderëve të institucioneve më të larta, po kundërshtohen nga opozita.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu mbështet debatin e 3 gushtit duke insistuar në anulimin e Marrëveshjes dhe nisjen e negociatave për një Demarkacion të ri. Në të kundërtën, ajo thotë se skenat e bllokadës dhe gazit lotsjellës në Kuvend mund të rikthehen sërish.

“Se cilët do të jenë hapat e mëtejmë, natyrisht se do të dihet pas kësaj tryeze, mirëpo në qoftë se tentojnë të kontrabandojnë një marrëveshje të njëjtë pas kësaj tryeze të cilën e kemi kundërshtuar në vazhdimësi, situata do të tensionohet. Pra, do të rikthehemi në skenat sikurse në muajt e fundit të vitit të kaluar apo ato të fillimit të këtij viti”, ka deklaruar në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Albulena Haxhiu.

Për rishikimin e marrëveshjes me Malin e Zi në vazhdimësi është deklaruar edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai thotë se nuk mund të pajtohet që Kosova t’i falë mbi 8 mijë hektarë tokë ndonjë vendi tjetër.

“Interesimi i kryeministrit ose i të tjerëve me e bindë Kosovën se çdo gjë është e kotë, qoftë edhe debati që është paralajmëruar më 3 gusht, qoftë diskutimet në publik apo edhe mendimet e ekspertëve, janë njëfarë dëshmie për panikun e tyre se kjo temë është kuptuar nga të gjithë se është bërë gabim marrëveshja”, ka deklaruar Haradinaj.

Opozita shpreson që pas debatit të 3 gushtit, opsioni i Marrëveshjes aktuale me Malin e Zi për demarkacionin do të dështoj dhe do të hapen mundësi për një marrëveshje të re.

Ndërkohë që presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa nuk kanë lënë shumë hapësirë që marrëveshja të pësoj ndryshime.

Por, sfidë për koalicionin qeverisës, megjithatë, mbetet sigurimi i dy të tretave të votave të deputetëve për ratifikimin e saj, ngase nuk është vetëm opozita, por janë edhe disa deputetë nga partitë në pushtet që nuk e pranojnë versionin aktual të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme