Në pikëpyetje do të vihet koalicioni qeverisës pas vendimmarrjes për Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Kjo për shkak të dallimeve që partitë kryesore në pushtet kanë për kufirin.
Partia Demokratike ende nuk e ka publikuar qëndrimin zyrtar për këtë marrëveshje që një vit më parë ishte firmosur nga Hashim Thaçi, atëkohë kryetar i këtij subjekti politik. Në fillimvit, Thaçi është zgjedhur president i shtetit dhe, me të marrë mandatin, ka hequr dorë nga funksioni partiak.
Prej atëherë, jo pak deputetë të PDK-së kanë folur me rezerva përkitazi me demarkacionin. E këtë javë nga kjo parti ka dalë me qëndrimin se zgjidhja e kontestit duhet kërkuar në arbitrazhin ndërkombëtar.
Në anën tjetër, kryeministri Isa Mustafa dhe partia të cilën e drejton, Lidhja Demokratike, kanë mbetur jetimë në insistimin që me çdo kusht duhet ratifikuar versioni aktual i demarkacionit, për të cilin ekspertë dhe opozita prej një viti kanë alarmuar se ia tkurrë territorin shtetit për rreth 8 mijë hektarë. Qëndrimi është mbështetur edhe nga forume të larta partiake, sikur është Kryesia./KD/