Forca e Sigurisë së Kosovës, gjatë 2016-ës, ka shënuar suksese të shumta, pavarësisht vonimit të votimit në Kuvend të Kosovës për transformimin e saj në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Kështu tha ministri i FSK-së, Haki Demolli, në një intervistë për Radio Kosovën, duke veçuar se “ndër sukseset që FSK-ja arriti deri tani, është edhe regjistrimi i dy kadetëve të FSK-së në Akademinë Ushtarake më prestigjioze në botë “Uset Point”.
Sukseset e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk kanë të ndalur, ndërkaq regjistrimi i dy kadetëve në Akademinë Ushtarake prestigjioze në Uest Point, dëshmon se FSK-ja rëndësi të veçantë i jep shkollimit të pjesëtarëve të saj, shprehet ministri i FSK-së, Haki Demolli, në një intervistë për Radio Kosovën:
“Mund të themi se gjatë këtij viti pjesëtarët tanë kanë marrë pjesë në 16 kurse, kanë marrë pjesë 19 pjesëtarë…”, tha ai.
Sipas ministrit Demolli, këtë vit është rritur edhe numri i pjesëmarrjes së FSK-së në ushtrime të përbashkëta të karakterit ndërkombëtar. Ndërsa, sipas tij, planifikohet që në vitin 2017 të rritet numri i kurseve, në të cilat do të janë pjesëmarrës pjesëtarët e FSK-së, në kuadër të shkollave të NATO-S.
Po ashtu, Demolli tha se këtë vit janë diplomuar 4 oficerë nga radhët e komuniteteve në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë, nga të cilët dy janë të komunitetit serb dhe dy të tjerë të atij boshnjak, ndërsa janë strukturuar në njësitet e FSK-së.