Demolli: FSK e gatshme të transformohet në Forcë të Armatosur

Prishtinë | 29 Dhj 2016 | 13:31 | Nga

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës( MFSK), zotëri Haki Demolli në prag të përfundimit të vitit, paraqiti një ekspoze të punës dhe të arriturave të Ministrisë dhe FSK-së për vitin 2016, para mediave të ftuara në konferencën e fundit për gazetarë për këtë vit.

Fillimisht,  ministri Demolli falënderoi të gjitha mediat vendore, të cilat siç tha ai, kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në pasqyrimin e drejtë dhe objektiv të punës, sukseseve dhe të arriturave të Ministrisë të Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK) dhe konkretisht të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) gjatë vitit 2016.

Ministri Demolli vlerësoi se: ,,Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës këtë vit po e përmbyllin me një numër të madh të sukseseve; të arritura si në kryerjen e punëve dhe detyrave në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në aktivitetet, paraqitjet dhe garat e ndryshme në rrafshin ndërkombëtarë”.

Gjithashtu, ministri Demolli më tej, numëroi disa prej sukseseve të FSK-së, në rrafshin kombëtar.

“FSK-ja ia ka dalë që më sukses t’iu përgjigjet të gjitha kërkesave të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, lidhur me rastet emergjente dhe fatkeqësitë e ndryshme natyrore, duke i vënë në dispozicion  kapacitetet e saja vetanake me të cilat posedon si dhe të nevojshme për intervenimet konkrete”, tha ai.

Po ashtu, ministri Demolli tha se gjatë këtij viti kalendarik, kanë pasur shumë aktivitete; ushtrime fushore-trajnime në përgatitjen profesionale e taktike të FSK-së, edhe aktivitete të natyrës garuese kombëtare e ndërkombëtare, prej nga pjesëtarët e FSK-së, janë kthyer me dekorata e lëvdata për sukseset e treguara si në aspektin individual ashtu edhe në atë kolektiv.

Sa i përket përgatitjes për procesin e transformimit të FSK-së në FAK, Ministri Demolli deklaroi me këtë rast, se Qeveria e Republikës së Kosovës përmes MFSK-së, në vazhdimësi është duke investuar në FSK-së, dhe atë si në ndërtimin e hapësirave infrastrukturore për punë dhe akomodim, ashtu edhe në hapësira përcjellëse dhe pajisje të tjera të nevojshme për zhvillimin dhe ngritjen  e kapaciteteve profesionale të FSK-së.

Ministria për FSK edhe gjatë këtij viti ka vazhduar që përmes furnizimit me pajisje individuale dhe kolektive të FSK-së, të ngritë kapacitetet profesionale të saj duke e aftësuar profesionalisht në tërësi për realizimin me sukses të misionit që ka, si dhe përgatitur për fillimin në misionin e ri, i cili e pret pas vendimmarrjes politike në Kuvendin e Kosovës, e që është shndërrimi në Forcë të Armatosur të Kosovës.

“Me plotë të drejtë mund të konstatohet se FSK dhe strukturat e saj, janë jashtëzakonisht mirë të përgatitura dhe profesionalisht të aftësuara për përmbushjen e detyrave të misionit, ekzistues, kushtetues si dhe të detyrave që do të dalin nga misioni i ardhshëm, i cili do të përcaktohet pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, për nivelin përgatitor dhe aftësimin profesional të FSK-së, Ministri Demolli tha se është i krahasueshëm me nivelin e pjesëtarëve të forcave përkatëse të shteteve të regjionit dhe se Ministria për FSK-në i ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për transformim, pra FSK-ja është e gatshme për transformim në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Është e ditur tha ministri Demolli se vendimet duhet të zhvillohen në Kuvendin e Kosovës, andaj duhet ritheksuar se, fillimi i tërë procesit të transformimit është “në duar” të Kuvendit të Kosovës, vendimi i të cilit do të jetë i mirëpritur jo vetëm nga MFSK-ja dhe të gjithë pjesëtarët e  FSK-së, por thellësisht jam i bindur edhe nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Andaj shpresoj dhe dëshiroj që viti 2017, të jetë vit i ndryshimeve, gjatë të cilit, do të aprovohen këto akte në Kuvendin e Kosovës dhe kështu do të realizohet një ëndërr e kamotshme e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme