Demolli viziton ushtarët në Ushtrimin Fushor “Shqiponja 5”

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 21:23 | Nga

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, i shoqëruar nga zyrtarë dhe eprorë të FSK-së, kanë vizituar në mbrëmje kampin fushor të FSK-së në fshatin Nashec të komunës së Prizrenit, ku janë të vendosur pjesëtarët e FSK-së në kuadër të ushtrimit fushor “Shqiponja 5”.

Demolli shoqërohej dhe zv.ministri Muhamet Latifi; sekretari i Përgjithshëm, Shkëlzen Sylaj; gjeneral-brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë së Operacioneve në MFSK-së; gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, ushtrues detyre i komandantit të Komandës së Forcës Tokësore të FSK-së etj.

Kreu i MFSK-së, fillimisht, është njoftuar nga komandanti i kampit nënkolonel Mehmet Lladrovci, me skenarin e ushtrimit fushor. Kurse komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, kolonel Xhevahir Geci e ka njoftuar ministrin dhe bashkëpunëtorët me ecurinë e zhvillimit të ushtrimit fushor, motivin dhe angazhimin e ushtarëve për të realizuar objektivat e stërvitjes si dhe kushtet e vendosjes dhe akomodimit, sipas një komunikate shtypi.

Ministri Demolli i ka përgëzuar ushtarët, oficerët e FSK-së për angazhimin e madh në realizimin e detyrave në ushtrim fushor, po ashtu ai posaçërisht ka falënderuar edhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës, për kontributin e tyre në përgatitjen, por edhe bashkëpjesëmarrjen praktike në këtë ushtrim fushor, duke ngritur nivelin e rezultateve të stërvitjeve dhe ushtrimit fushor “Shqiponja 5”.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit në mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, në këtë ushtrim fushor për herë të parë janë pjesëmarrës aktiv kudo nëpër njësi, krah për krahë me ushtarët dhe oficerët e FSK-së edhe ushtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës nga SHBA-ja. Po ashtu më këtë rast ministri Haki Demolli duke numëruar sukseset e FSK-së falënderoi dhe uroi të gjithë pjesëtarët e FSK-së edhe për rezultatin në stërvitjen e marshimit “Cambrian Patrol” në Uells të Mbretërisë së Bashkuar, ku togu i FSK-së u nderua me medalje të artë, duke na bërë që të ndihemi krenarë.

Ministri Demolli me këtë rast ka bashkëbiseduar me ushtarë dhe oficerë për rrjedhat e ushtrimit vështirësitë dhe kushtet e përgjithshme të qëndrimit në natyrë. Po ashtu Ministri së bashku me ushtarë dhe eprorë të FSK-së kanë darkuar në kuzhinën fushore të kampit. Ushtrimi fushor “Shqiponja 5”, mbahet në disa pjesë të Kosovës si; në rajonin e Prizrenit, Malishevës, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.
fsk-2

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme