Dënohet me 200 euro gjobë shoferi i autobusit që dha 10 euro ryshfet

Prishtinë | 25 Sht 2018 | 16:51 | Nga

Shoferi i autobusit të kompanisë “Barileva Tours”, Nurë Ahmetgjekaj, i akuzuar se ka dhënë 10 euro ryshfet, për këtë vepër të martën është dënuar me 200 euro gjobë.

Para se të shpallej aktgjykimi, një ditë më parë i akuzuari Ahmetgjekaj, e ka pranuar fajësinë se më 25 gusht të vitit 2015, në pikë kalimin kufitar Kosovë-Serbi, në Merdare, në brendësi të dokumenteve të identifikimit të udhëtarëve rreshterit Behram Maliqit, ia kishte lënë edhe 10 euro, në emër të ryshfetit.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka- Mekaj, deklaroi se nëse i dënuari nuk mundet që ta bëj pagesën e gjobës apo nuk dëshiron, të njëjtit ky dënim do t’i zëvendësohet me burgim.

Ajo ka thënë se nëse bëhet zëvendësimi i dënimit me burg, atij një ditë e kaluar në burg do t’i llogaritet 15 euro.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari duhet të paguaj edhe taksën për programin e kompensimit të viktimave në vlerë prej 50 euro.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, të pranishëm në sallë nuk ishin as prokurorja Merrushe Llugiqi, e as i akuzuari.

Ndryshe, në seancën e 24 shtatorit, ishte paraparë që të mbahej shqyrtimi i dytë, por pasi i akuzuari nuk kishte ushtuar fare kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, me pajtimin e palëve ishte kaluar në shqyrtimin gjyqësor, në të cilën më pas, i akuzuari kishte thënë se e pranon fajësinë për veprën për të cilën ngarkohet.

Gjithashtu, në këtë seancë, pasi që i akuzuari e kishte pranuar fajësinë, ishin dhënë dhe fjalët përfundimtare.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Merrushe Llugiqi, kishte delaruar se prokuroria e mbështet pranimin e fajësisë dhe kërkoi që kjo të merren si rrethanë lehtësuese me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme