Dënohet me 4 mijë euro gjobë e akuzuara për falsifikim të dokumentit

Prishtinë | 31 Tet 2022 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

E akuzuara Qendresa Foniqi, është dënuar me 4 mijë euro gjobë për veprën penale falsifikim të dokumentit.

Në seancën e mbajtur më 28 tetor  2022, Foniqi kishte pranuar fajësinë dhe ishte veçuar procedura ndaj saj, ndërsa Petrit Tufa ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarës Foniqi u shpall të hënën nga gjyqtarja Alltëne Murseli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket dënimit prej 4 mijë gjobë, gjyqtarja Murseli tha se këtë dënim e akuzuara mund ta paguajë me dy këste.

Po ashtu, e njëjta obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës në shumën prej 40 euro.

Sipas gjykatëses Murseli, pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i pandehuri Petrit Tufa si pronar i kompanisë “Triomed.CO shpk” me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik në atë mënyrë që më 16 qershor 2022 në zyrën e prokurimit në Policinë e Kosovës në Prishtinë, ka dorëzuar ofertën për të marrë pjesë në aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi me materiale shpenzuese për vendin e ngjarjes”,  në atë mënyrë me qëllim mashtrimi në mesit e dokumentacionit ka dorëzuar dokumentin e falsifikuar “Vërtetimi tatimor” të 5 prillit 2022, i cili dokument me numër të njëjtë identifikues është nxjerrë më 27 janar 2022 me qëllim të aplikimit për kredi.

Me këto veprime, Tufa po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, sipas aktakuzës e pandehura Qëndresa Foniqi përgjegjëse e kontabilitetit në kompaninë “SHFK-SHPK”, e angazhuar nga kompania “Triomed.CO.shpk” ka falsifikuar dokumentin “Vërtetimin tatimor” të 5 prillit 2022, në atë mënyrë që vërtetimit tatimor i ka ndryshuar përmbajtjen nga vërtetimi tatimor për kredi i 27 janarit 2022 në vërtetim tatimor për tender të 5 prillit 2022 me qëllim që kompania “Triomed.CO.shpk” të aplikojë për tender në aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi me materiale shpenzuese për vendin e ngjarjes”.

Me këto veprime, akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390m paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme