Dënohet me dy vite burgim me kusht e akuzuara se me dashje i ishte bashkuar ISIS-it në Siri

Prishtinë | 12 Qer 2020 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të premten, e ka shpallur fajtore të akuzuarën për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, Jehona Xhemshti.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Musa Konxheli, Xhemshitin e ka dënuar me dy vite burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës prej dy viteve.Me këtë vendim, e akuzuara u lirua nga shpenzimet procedurale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur pasi e akuzuara, në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 10 qershor 2020, e kishte pranuar fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë.Ndryshe, në seancën fillestare të 8 janarit të këtij viti e akuzuara ishte deklaruar e pafajshme.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 18 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Jehona Xhemshiti për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, e akuzuara Xhemshiti, më 27 dhjetor 2014, me dashje dhe vetëdije të plotë ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të saj në Republikën e Kosovës, e së bashku me bashkëshortin Shemsi Hyseni, me automjetin ku kanë qenë edhe tre persona të tjerë, kanë kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e pastaj nga aeroporti i Shkupit, kanë udhëtuar deri në Stamboll.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, përmes Republikës së Turqisë, duke udhëtuar me autobus deri në qytetin Gazientep, pastaj me veturë ka hyrë në Siri, nga i cili shtet janë financuar rregullisht, pra me dashje dhe me qëllim i është bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, e cila ishte duke vepruar në shtetet Siri dhe Irak dhe atë duke shkaktuar akte dhune nga maltretimet e gjerë te vrasjet e civilëve të pafajshëm, organizatë kjo e cila nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është shpallur si terroriste.

Të ngjashme