Deputetët e opozitës ia mësyjnë RTK-së, nuk u lejohet hyrja: Demokracia nuk duhet të mbytet

Prishtinë | 16 Tet 2024 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Deputetët e partive opozitare në Kosovës ia kanë mësyrë objektit të Radio Televizionit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie që seanca e Kuvendit nuk u transmetua drejtpërdrejtë në kanalin qendror.

Në një konferencë për media, para RTK-së, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë thënë se kjo flet për ndikimin e pushtetit mbi RTK-në.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe bordit që të japin dorëheqje.

“Tashmë aty ku ka arritur RTK-ja është jashtëzakonisht e frikshme. Para një periudhe disamujore u përballëm edhe me cenim të jetës së disa gazetarëve nga dy mediume shumë të respektuara në vendin tonë. Sot, kur në Kuvendin e Kosovës duhej të shpërfaqej një aferë e cila kap keqpërdorime rreth 20 milionë euro, në këto momente RTK-ja, qoftë drejtori gjeneral, Dejona apo kushdo tjetër, vendosi atë që s’kishte ndodhur më parë. E zhvendosi seancën e Kuvendit të Kosovës në një program periferik, e duke mos e transmetuar në program qendror. Është e papranueshme kjo”.

“Pasi pikërisht sot qytetarët e Kosovës duhet të dëgjonin se si vidhen nga kapelat e zeza 20 milionë euro përmes ujit të pijshëm të vendit tonë. Kapelat e zeza të Dejonës sot në RTK mundem me mbyllë derën, edhe pak, por jo edhe gjatë. Sot çdo qytetar i vendit tonë e sheh abuzimin e tyre, e ndien abuzimin e tyre”, tha Tahiri. “I bëjë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe anëtarëve të bordit të japin dorëheqje nga këto pozita. Ata s’mund të jenë drejtues të RTK-së. S’mund të udhëheqin me RTK-në, e mbysin fjalën e lirë, e mbysin zërin opozitar”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se 9 shkurti si data e zgjedhjeve është e largët “kur Qeveria do ta marrë çmimin për ata që ia kanë bërë qytetarit”.

Ai ka thënë para dyerve të RTK-së se kjo situatë duhet të ndalohet pasi demokracia s’mund të mbytet.

“Nëse dikush logjikon të udhëheqë nga parapolitika, kjo i takon regjimit serb…Ky është reagim publik mbi atë që të mbrohen vlerat dhe i bëjmë thirrje atyre me mendje të shëndoshë që kjo mënyrë duhet të ndërpritet. 9 shkurt i largët kur do ta marrin çmimin për atë që ia kanë bërë qytetarit”, ka thënë Zemaj.

Kritika ndaj RTK-së ka qenë edhe Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri. Ai ka thënë se RTK-ja është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe e ka obligim transmetimin e seancave.

“Institucioni që po shihet mbrapa, është RTK. I themeluar nga Kuvendi i Kosovës, dhe ky institucion u jep llogari deputetëve të Kuvendit. Seancat parlamentare janë detyrë, obligim ligjor e kushtetutes të cilat duhet t’i përmbush ky institucion, ti transmetojë mesazhet e përfaqësuesve të popullit”.

Tutje, ai ka thënë se derisa në seancë po trajtohej një “superskandal” i Qeverisë, seanca u ndalë për fjalimin e Kurtit në një konferencë. Tahiri bëri thirrje që të jepet llogari në lidhje me këtë dhe të tregohet se pse u ndalë transmetimi drejtpërdrejtë.

“Fakti që në një seancë ku po trajtohet një super skandal i kësaj qeverie ndalet për fjalimin e kryeministrit në një konferencë, tregon saktë, drejt e shpërfytyron regjimin e Kurtit se do me ndalë fjalën, debatin, argumentin, dhe ashtu si kanë ardh më mashtrim, të mashtrojnë popullin, të fshehin për të bëmat e tyre, që po i japin jo vetëm hije të keqe vendit”.

“Tu shku Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme, me ndalë dikush, kush e ka ndalë, kush është ai njeri që ka thënë me ndalë fjalimin e deputetëve. Nuk ka faj ky zotëria se e ka vend pune, po duhet të japë llogari ai urdhëruesi që po na ngon në televizor, e që ish dalë me tregu këtu pse e kanë ndalë transmetimin drejtpërdrejt”, ka thënë ai.

“Kjo nuk ka tjetër emër, përveç tendencë me mbytë fjalën e lirë, dhe me e ndalë porosinë e cila është e drejtpërdrejtë e saktë dhe e qartë se këtu ka të bëjë me një qeveri që e ktheu Kosovën mbrapa dhe po mundohet ta shti regjimin parapolitik”, është shprehur Tahiri.

Të ngjashme