Deputetët kritikojnë RTK-në për shpenzime të larta

Prishtinë | 31 Jan 2017 | 14:01 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet dhe Financa është duke shqyrtuar programin e shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2017.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Ismet Bexheti, dhe drejtori i përgjithshëm, Mentor Shala, para anëtarëve të këtij komisioni kanë paraqitur programin e shpenzimeve për transmetuesin publik për periudhën janar-mars 2017.

Ndërsa nënkryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ka thënë se “në bazë të këtij raporti ne mund të shohim se nga po i çojnë shpenzimet”.

Ajo ka thënë se RTK-ja t’i filtrojë lajmet ditore dhe të jetë i paanshëm e jo të krahasohet më mediet e pavarura që janë private. Në anën tjetër anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Besa Gaxherri, ka thënë se në RTK ka shumë telashe, duke dhënë vërejtje për mos-transparencë.

“Ju nuk keni qenë në gjendje të na sillni dokumentet që ju kemi kërkuar. Ju keni planifikuar në paga dhe mëditje me bë shpërndarjen në 2 milionë. Po ashtu për të hyrat tjera ju nuk jepeni sqarime, pos për të hyra tjera. 25 mijë euro i keni planifikuar për zgjedhje lokale, në këtë muaj s’ka zgjedhje lokale. Po ashtu 14 mijë euro për shpenzime operacionale për bordin janë shumë. Keni paraparuar edhe 50 mijë euro për udhëtime, kaq shpenzime nuk bënë as Qeveria. Ju po kërkoni më shumë buxhet, por shpenzoni si duhet”, ka thënë Gaxherri.

Anëtarja e këtij komisioni nga Vetëvendosje, Shqipe Pantina, ka thënë se i vetmi dokument që është ofruar është lista e punëtorëve që i ka: 800 punëtorë të rregullt dhe 200 të angazhuar, e nuk e keni sjellë listën e pagave.

Ajo ka pyetur se pse janë në listë të pagave Jeta Çitaku dhe Rrezartë Metaj, të cilat nuk jetojnë në Kosovë e marrin pagë nga RTK-ja.

Por Enver Hoti kërkoi komision hetimor për RTK-në.

“Të funksionalizohet komisioni hetimor per RTK-në, t’i qasemi punës. Për të shikuar gjendjen edhe ma fell. Asnjëherë nuk kemi mujt me gjet përgjigje adekuate në formën e funksionimit të RTK-së, “ tha Hoti.

Ndërsa Safete Hadërgjonaj kërkoi korrektësi nga RTK-ja.

“Nëse kalon ky plan për këtë 3 mujor, në 3 mujorin tjetër [plani] të vijë më i detajizuar, dhe raporti sa janë shpenzu nga i pari. Pres të jeni më korrekt në raportime dhe planifikime,” tha Hadërgjonaj.

Ndaj këtyre kritikave ka reaguar drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala. “RTK-ja është rritur. Ne transmetojmë 96 orë program. Po ashtu kemi dhe uebin”, tha ai.

Formimi i një komisioni hetimor për RTK-në ishte kërkuar nga “Vetëvendosja”, ndërsa nuk ishte përkrahur nga partitë në pushtet, kurse partitë opozitare i kishin propozuar emrat e deputetëve për të.

Komisioni për Buxhet e Financa, edhe pse e kritikoi planifikimin e shpenzimeve, me shumicë votash miratoi ndarjen e 2 milionë e 750 mijë eurove për RTK-në nga buxheti i shtetit.

Kundër votuan Shqipe Pantina, Enver Hoti dhe Labinota Demi-Murtezi.

 

Të ngjashme