Në kuadër të konferencës për 10-vjetorin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, është prezantuar studimi mbi ndikimin ekonomik dhe financiar të këtij institucioni, ku u theksua roli i tij në mbështetjen e bizneseve dhe rritjen ekonomike në vend, raporton Ekonomia Online.
Autorja e studimit, Albulena Jahaj-Lubishtani, tha se përmes mekanizmave të Fondit është arritur një ndikim i qëndrueshëm social dhe ekonomik, duke theksuar se janë mbështetur rreth 2,000 biznese në pronësi të grave – 50% e portofolit total të bizneseve.
“Ndikim i qëndrueshëm social dhe mjedisor. Do të filloj me barazinë gjinore. Ne kemi arritur të mbështesim vazhdimisht rreth 2,000 biznese në pronësi të grave, të cilat përfaqësojnë 50% të portofolit tonë total të bizneseve. Gjithashtu kemi arritur që 35% e këtyre bizneseve të kenë marrë kredi për herë të parë përmes FKGK-së, huamarrësit tanë për herë të parë, dhe këto janë biznese të udhëhequra nga gra, sipërmarrëse gra”, tha ajo.
Ajo shtoi se Fondi ka kontribuar edhe në zhvillimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve, veçanërisht të grave sipërmarrëse.
“Po ashtu, kemi ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të këtyre ndërmarrjeve. Te sipërmarrëset gra kemi vërejtur nevojë për zhvillim të kapaciteteve në aftësi biznesore, në edukim financiar dhe në marketing digjital. Këto trajnime i kemi ofruar deri më tani, veçanërisht në vitet e fundit. Gjithashtu, 76% e stafit të FKGK-së janë gra, gjë që dëshmon edhe një herë lidershipin tonë të brendshëm dhe përfaqësimin gjithëpërfshirës të grave në financa”, tha ajo.
Siç tha ajo, ndikimi i Fondit është i dukshëm edhe në rritjen e punësimit dhe aktivitetit ekonomik në vend.
“Tani të kalojmë te puna e denjë dhe rritja ekonomike. Kemi mbështetur rreth 12,000 biznese, që përbëjnë afërsisht 9% të bizneseve aktive në Kosovë. Kjo do të thotë se 1 në 11 biznese aktive në Kosovë është i garantuar nga FKGK. Kemi një ndikim në punësim, ku sipas të dhënave të raportuara nga vetë bizneset, kemi vërejtur një rritje prej 35,000 vendeve të punës, të krijuara nga NVM-të, që përfaqëson një rritje prej 24% të punësimit, sipas raportimeve të bizneseve që kemi mbështetur ndër vite. Gjithashtu kemi kontribuar në punën e denjë dhe rritjen ekonomike duke lehtësuar një volum kredie prej 1.1 miliardë euro, që nxit Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) kombëtar. Ne presim që kjo të ndikojë në rritjen e PBB-së kombëtare”, tha ajo.
LEXO EDHE:
Megjithatë, ajo theksoi se qasja në financa nuk është e mjaftueshme për të rritur menjëherë produktivitetin e bizneseve.
“Kemi arritur që këto ndërmarrje mikro dhe të vogla të rrisin ose zgjerojnë punësimin duke angazhuar më shumë punonjës. Në vitin e dytë, kjo rritje u përshpejtua në 27%, duke treguar se qasja në financa ka efekte të përbëra me kalimin e kohës. Megjithatë, punësimi në vitin e parë dhe të dytë është domethënës, por shitjet, investimet dhe produktiviteti nuk janë në nivelin që do të kishim dëshiruar. Kjo do të thotë se nuk ka dallim mes kredive të garantuara dhe atyre të pаgarantuara sa i përket produktivitetit, investimeve apo edhe shitjeve. Ekziston një efekt më i vogël në shitje, por jo në produktivitet. Kjo sugjeron se vetëm qasja në financa nuk është e mjaftueshme për të nxitur produktivitetin, ose të paktën jo menjëherë. Me gjasë, produktiviteti do të vijë më vonë”, tha ajo, raporton Ekonomia Online.
