Mbi 1 miliard euro kredi të garantuara në 10 vjet, FKGK thekson rolin në rritjen ekonomike

Prishtinë | 23 Pri 2026 | 10:59 | Nga Gzim Mujaj

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), me rastin e 10-vjetorit të themelimit, ka organizuar konferencën ndërkombëtare “Roli i financave zhvillimore në tejkalimin e barrierave të rritjes ekonomike”, ku u theksua ndikimi i këtij institucioni në përmirësimin e qasjes në financa dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Në këtë konferencë u bë e ditur se, gjatë një dekade operimi, FKGK ka mundësuar mbi 1 miliard euro kredi të garantuara, ka mbështetur rreth 13 mijë biznese dhe ka kontribuar në krijimin dhe ruajtjen e mbi 33 mijë vendeve të punës.

Kryetari i Bordit të Fondit, Agan Azemi, tha se FKGK ka luajtur rol strategjik në ekonominë e vendit, veçanërisht në përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme

“Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka luajtur një rol strategjik në përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, një segment që mbetet qendror për strukturën ekonomike të Kosovës dhe rritjen afatgjatë të saj. Gjatë këtyre 10 viteve, fondi ka dhënë rezultate të prekshme dhe të matshme. Ai ka mundësuar mbi 1 miliard euro kredi të garantuara, ka mbështetur rreth 13,000 biznese dhe ka kontribuar në krijimin dhe ruajtjen e më shumë se 33,000 vendeve të punës në gjithë Kosovën”, tha ai.

Azemi shtoi se këto rezultate dëshmojnë efektivitetin e mekanizmit të ndarjes së rrezikut dhe ndikimin në zhvillimin ekonomik.

“Këto rezultate dëshmojnë efektivitetin e një mekanizmi mirëprojektuar të ndarjes së rrezikut, i cili jo vetëm që lehtëson kreditimin, por gjithashtu kontribuon në zhvillimin e sektorit privat, gjenerimin e punësimit dhe qëndrueshmërinë ekonomike. Institucioni ka siguruar që vendimmarrja të udhëhiqet nga qëndrueshmëria afatgjatë, menaxhimi i kujdesshëm i rrezikut dhe transparenca e plotë. Kjo ka qenë thelbësore në ndërtimin e besimit me institucionet financiare, me partnerët zhvillimorë dhe me publikun në përgjithësi”, tha ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional për zhvillimin e sektorit financiar.

“Në këtë dekadë, Fondi ka luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme, duke i ndihmuar në tejkalimin e barrierave që shpesh kanë kufizuar potencialin për rritje. Bashkëpunimi i ngushtë midis Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Fondit Kosovar për Garanci Kreditore është i formalizuar përmes memorandumit të mirëkuptimit dhe ka qenë një element thelbësor për forcimin e misionit të përbashkët. Ky partneritet ka kontribuar në ndërtimin e një ekosistemi financiar më të qëndrueshëm dhe më të qasshëm”, tha ai.

Ai shtoi se sektori financiar në Kosovë ka shënuar rritje të qëndrueshme gjatë kësaj periudhe.

“Gjatë dekadës së fundit që përkon me themelimin dhe zhvillimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, sektori bankar në Kosovë ka shënuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të thelluar, duke u pozicionuar si një ndër sektorët më të fortë financiarë në Ballkanin Perëndimor. Ky progres pasqyron rritjen e besimit të publikut dhe të bizneseve në sistemin financiar, si dhe forcimin e vazhdueshëm të kornizës institucionale dhe rregullative. Asetet e sistemit financiar kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke arritur në 16.5 miliardë euro, që përfaqësojnë rreth 150% të bruto produktit vendor. Ky zgjerim i vazhdueshëm ka ndodhur pavarësisht sfidave globale dhe rajonale, përfshirë pandeminë dhe krizat e njëpasnjëshme të zinxhirit të furnizimit, duke dëshmuar rezistencën dhe stabilitetin strukturor të sektorit financiar”, tha ai.

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Jeton Mehmeti, tha se mbështetja për sektorin privat mbetet thelbësore për zhvillimin ekonomik.

“Ky sukses është rezultat i një vizioni të qartë të qeverisë së Republikës së Kosovës, i mbështetur nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sektori privat, dhe veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mbeten shtylla kryesore e rritjes ekonomike, po ashtu edhe të punësimit. Prandaj krijimi i një ambienti që lehtëson investimet dhe rrit konkurrueshmërinë, është esencial për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë”, tha ai.

Ai theksoi se qeveria ka qenë kontribuuesi kryesor në kapitalin e fondit.

“Dhjetë vite më parë, u themelua Fondi Kosovar për Garanci Kreditore për të adresuar një nga sfidat kryesore të ndërmarrësisë, qasjen në financa. Sot ai është një institucion i mirëkapitalizuar, me reputacion të besueshëm dhe besueshmëri të lartë në sektorin financiar. Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë kontribuuesi kryesor në kapitalin e këtij institucioni. Nga 109 milionë euro kapital, rreth 67 milionë euro janë siguruar nga qeveria e Kosovës përmes programeve të saj dhe partneriteteve me institucione financiare ndërkombëtare”, tha ai.

Presidenti i Shoqatës Evropiane e Institucioneve të Garancisë (AECM), Guy Selbherr, vlerësoi arritjet e FKGK-së, duke e cilësuar atë si model suksesi.

“Suksesi i FKGK-së nuk është i zakonshëm. Institucionet e garancisë kreditore janë përhapur në mbarë botën në kontekste shumë të ndryshme institucionale dhe ekonomike, por pak prej tyre kanë pasur të njëjtin sukses të jashtëzakonshëm. Në vetëm një dekadë, ju keni fuqizuar mbi 10,000 sipërmarrës për të kthyer idetë në biznese, për të zgjeruar aktivitetet e tyre dhe për të krijuar vende pune. Këto nuk janë shifra abstrakte. Ato përfaqësojnë mundësi reale në të gjithë Kosovën”, tha ai.

Ai shtoi se FKGK tashmë përfaqëson një model për sektorin global të garancive kreditore.

“Sot, FKGK qëndron jo vetëm si një histori suksesi, por si një model për të gjithë sektorin global të garancive për NVM-të, duke treguar se çfarë mund të arrijë një fond i mirëprojektuar i garancisë kreditore. Ju keni kapërcyer boshllëqet në financim, keni nxitur inovacionin dhe keni zhbllokuar potencialin, cilësi që rezonojnë thellë me të gjithë ne në AECM”, tha ai.

Të ngjashme