Deputeti i Bashës që pozon me Ramën dhe Veliajn

Prishtinë | 12 Jan 2022 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Ndërsa protesta e tetë janarit me gaz e polici çimentoi në sytë e mbështetësve të foltores argumentet e Sali Berishës se Lulzim Basha bashkëpunon me Edi Ramën, një deputet i ri pak i njohur, duket ka veshur mantelin e strumbulluarit për këtë bashkëpunim.

Bëhet fjalë për Arbi Agalliun, sekretarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, një prurje të re të Bashës në zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërsa Arbi Agalliu u bë famoz për foton e publikuar dje, se po qeshte në një takim me Edi Ramën në Vlorë, sot po qarkullon një foto e tij, i përqafur dhe duke qeshur me Erion Veliajn.

Detajet mungojnë. Kur dhe ku u takua Agalliu me Veliajn? Po arsyeja?

Ndërsa për ti dhënë përgjigje këtyre pyetjeve do të duhej të kalonim në caqet e spekulimit, dhe Agalliu vetë nuk ka reaguar ende, momentalisht na mbetet vetëm të qëmtojmë shfajësimin që deputeti star i orëve të fundit bëri për foton me kryeministrin në Vlorë.

Agalliu u vetëmbrojt duke thënë se manipulohet me nxjerrjen e fotos, pasi ajo është shkrepur dy muaj më parë. Në reagimin e tij për ABC News, Agalliu shpjegoi se nuk kompleksohej nga një përshëndetje qytetare.

“Nuk ka asgjë më shumë sesa duket në foton e nxjerrë si sensacion nga specialistët e manipulimit dhe të dhunës verbale e fizike. Është një përshëndetje 2 muaj më parë (13 nëntor), siç këmbehen 2 njerëz në të njëjtin mjedis dhe kaq! Në kulturën dhe formimin tim nuk kam asnjë kompleks të përshëndes këdo. Në jetën time profesionale kam takuar dhe do takoj pafund njerëz me bindje të ndryshme politike, me pozicione të ndryshme e statuse të ndryshme. I besoj sjelljes qytetare dhe profesionale! Me Edi Ramën nuk kam bërë kurrë asnjë pazar, asnjë marrëveshje, asnjë cënim të interesit publik! Nga një anë më vjen keq që bëjnë qimen tra. Nga ana tjetër, më vjen mirë që kanë kaq shumë interes për aktivitetin tim politik dhe privat. Të tilla lajme të sajuara keq i konsideroj si përpjekje shumë idiote për shantazh! Le të vazhdojnë! Unë kam zgjedhur të punoj për një të ardhme më të mirë për Partinë Demokratike dhe për vendin!”, deklaroi deputeti Agalliu.

Për të vënë në barazpeshë narracionet që vijnë nga dy krahët e kundërta të PD-së, së pari do të duhet të marrim të mirëqenë “pafajësinë” e Arbi Agalliut. Ndoshta gjithçka është rastësi dhe manipulohet me figurën e tij për të goditur Bashën.

Por, ndërsa ai ende nuk ka shpjegim për foton me Veliajn dhe nisemi nga rastësia që Agalliu presupozoi për takimin me Ramën, ndoshta edhe takimi me Veliajn do ketë qenë vetëm një rastësi.

“Rastësia zakonisht favorizon të kujdesshmit” – thoshte filozofi Joseph Joubert.

Se sa i kujdesshëm po tregohet Arbi Agalliu dhe PD-ja e Bashës, kjo ha interpretim. Nga një anë nuk po tregohen aspak të kujdesshëm për takimet që mbajnë. Nga ana tjetër, siç thotë krahu i foltores, po tregohen shumë të kujdesshëm në bashkëpunimin me partinë në pushtet.

Këto ngjarje i shërbejnë si barut armëve të Sali Berishës. Arbi Agalliu është kthyer në pak orë në deputetin e trekëndëshit Basha-Rama-Veliaj. Një gjë është e sigurt. Me ndërhyrjen e policisë për shpërndarjen e protesës së Berishës në selinë blu, këto foto nuk i volisin aspak grupit Basha në Partinë Demokratike.

Të ngjashme