Dërgohet në Kushtetuese vendimi i Supremes për kompensimin e dëmeve të luftës

Prishtinë | 27 Kor 2018 | 10:50 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Ngritja e Zërit”, dorëzoi dosjet e radhës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës rreth vlerësimit të kushtetutshmërisë së aktit juridik të Gjykatës Supreme, me rastin e refuzimit të padisë për kompensimin e dëmeve të luftës.

Para dorëzimit të dosjeve, kryetari i kësaj organizate, Jahir Bejta, ka thënë se që nga viti 2008 janë duke ushtruar padi për kompensimin e dëmeve të luftës, përfshirë dëmin në njerëz dhe pronë, por që janë refuzuar dhe nëpërkëmbur nga gjykatat e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Gjykatat Themelore nuk na i kanë pranuar paditë edhe pse paraprakisht i kanë shqyrtuar, paditë serbe na i kanë quajtur të rrezikshme, merreni me mend, dhe palët paditëse janë detyruar t’i dorëzojnë përmes postës në vitin 2010. Plot tri vite s’kemi pasë përgjigje, pas tri viteve refuzimi apriori me qëndrim prej lart hudhen poshtë për jokompetencë. Merre me mend, kërkohet kompensimi edhe i taksës prej 30 euro që ishte në kundërshtim me Ligjin Mbi Kategoritë e luftës”.

Bejta, duke iu drejtuar grupit negociator të Kosovës me Serbinë, ka thënë se nëse kërkohet falja e dëmeve në njerëz dhe pronë, ajo nuk guxon të ndodhë, raporton EO.

“Andaj nëse vjen deri te kjo çështje, atëherë ne do të reagojmë dhe nuk do të ndalemi dhe nëse ata marrin një vendim të tillë, atëherë ata kanë të drejtë të falin vetëm trupat e evladave të vetë, por jo edhe familjarët tonë”.

Bejta ka thënë se vetë Gjykata Kushtetuese është duke e shkelur Kushtetutën. Ai shtoi se gjyqësori është i vetëdijshëm se janë duke i shkelur të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare.

“Edhe Gjykata Kushtetuese si gardian i drejtësisë nuk është duke zbatuar Kushtetutën, po e shkelë Kushtetutën. E dinë shumë mirë se kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut, për jetën dhe pronën që janë të garantuara me Kushtetutë dhe konventa ndërkombëtare. Këtu janë përligjuar konventat. Gjykatat tona e kanë obligim me i zbatu konventat ndërkombëtare”.

Ai deklaroi tutje se ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor kanë dhënë urdhër që Gjykatat Themelore t’i refuzojnë paditë.

“Ata thirren vetëm në nenin 18 të Ligjit për Procedurën Kontestimore gjoja nuk ka të drejtë të paditet një shtet tjetër, por harrojnë dhe nuk duan t’i aplikojnë dispozitat e po të njëjtit ligj”.

Bejta tregoi se kërkesës ia kanë bashkangjitur edhe një argument shtesë për Ligjin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut. Ai deklaroi se gjykatat në Kosovë po i shkelin konventat ndërkombëtare.

Sefedin Meziu nga Skenderaj, i cili kishte ardhur për të dorëzuar këto dosje, tha se ka familjarë të tij që janë vrarë e masakruar gjatë luftës së fundit dhe se ndihet i zhgënjyer me institucionet e vendit.

Ai është shprehur se në mundësinë e parë do të ikë nga Kosova sepse siç tha, njerëzit që udhëheqin me shtetin, ia kanë vështirësuar jetën.

“Me një mundësi që do të mund ta kem edhe unë e lëshoj këtë shtet, si krejt të tjerët, se na kanë gërditë edhe jetën. Boll na ka gërditë serbi sa ka nejtë në Kosovë, na ka vra e na ka gri, tash edhe këta, është diçka shumë e tepërt. Pres edhe njëherë përgjigjen prej Kushtetueses, por me këtë klasë politike dhe të gjykatëse ne jemi totalisht të dështuar”.

Rreth 1 mijë kërkesëpadi janë hartuar nga kjo organizatë dhe janë dorëzuar nëpër gjykata, pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës, por të gjitha janë refuzuar nga gjykatat me arsyetimin se nuk mund të paditet një shtet tjetër.

Të ngjashme