Pritjet për një ekzaminim të gastroskopisë apo kollonskopisë në Qendrën e Klinike Universitare të Kosovës shkojnë deri në tetë muaj. Aparatura e re e gastroskopisë dhe kollonoskopisë është blerë në gusht të vitit të kaluar.
Megjithatë, ajo nuk e ka zvogëluar listën e pritjes së pacientëve. Me aparaturën, të cilën e ka në dispozicion Klinika e Gastroenterologjisë me Hematologji, maksimumi i ekzaminimeve në ditë arrin deri në 15 pacientë. E si pasojë e listës së gjatë të pritjes, pacientët detyrohen që këtë shërbim ta marrin në klinikat private, shkruan sot “Koha Ditore”.
K.G. ka treguar për gazetën se ka pasur probleme me lukth dhe ka shkuar në QKUK për të bërë gastroskopinë (incizimi i lukthit), por ajo ka thënë se nuk ka pasur mundësi që të presë gjatë për ta marrë këtë shërbim.
“E kam pasur një kontroll dhe më është thënë që të bëj një gastroskopi. Në QKUK më kanë thënë që duhet të pres së paku pesë muaj. Në pamundësi të pritjes kam shkuar në një klinikë private, ku kam paguar 120 euro për këtë shërbim”, ka thënë ajo.
Edhe N.H. ka thënë se është duke pritur qe shtatë muaj për ta bërë kollonoskopinë (incizimi i zorrës së trashë) në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hematologji në QKUK.