Dështimi i 42-të me radhë për konstituimin e Kuvendit – seanca e radhës më 7 korrik

Prishtinë | 05 Kor 2025 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

As në përpjekjen e 42-të, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën të konstituojnë legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

Bllokada politike po vazhdon si pasojë e mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera parlamentare, për mënyrën e votimit të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Mospajtimi kryesor mbetet çështja nëse votimi duhet të jetë i hapur apo i fshehtë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, kërkoi rikthimin në rendin kushtetues të punimeve të Kuvendit.

“Kërkoj në emër të partisë që ky Kuvend e kjo seancë të kthehet në rendin e ditës, të respektohet Kushtetuta,” tha ajo.

Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, tha se kërkesa e vetme e partisë së saj është respektimi i Kushtetutës.

“Ne kemi një propozim të vetëm: që të respektohet Kushtetuta dhe të mos shkelet ajo,” u shpreh ajo.

Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu fjalimin e saj, duke theksuar se deputetët mund të flasin vetëm nëse kanë ndonjë propozim konkret për votim.

Në përmbyllje të seancës, Dehari njoftoi se 39 deputetë kanë votuar për vazhdimin e punimeve, pa asnjë votë kundër. Ai bëri të ditur se seanca e radhës do të mbahet më 7 korrik, në ora 11:00.

Të ngjashme