Dështon rezoluta në Komision për krerët e UÇK-së, deputetët maqedonas bojkotuan mbledhjen

Prishtinë | 20 Shk 2026 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Në Komisionin për politikë të jashtme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dështoi miratimi i propozim rezolutës për respektimin e standardeve të procedurave penale kundër ish krerëve të UÇK-së, kjo pasi mbledhja dështoi në mungesë të kuorumit, respektivisht deputetët maqedonas nga VMRO dhe LSDM bojkotuan seancën.

Të pranishëm ishin vetëm deputetët e Frontit Evropian, Vlen, ASH dhe deputeti Rexhep Ismail nga e Majta. Sipas deputetëve shqiptarë, mos prezenca e deputetëve maqedonas është i qëllimshëm. Debati është prolonguar në një kohë të pacaktuar.

“Mungesa e deputetëve, anëtarëve të tjerë është e qëllimshme për ta sabotuar mundësinë e punës së komisionit me të vetmin qëllim që kjo pikë të mos vijë në rend debati”, u shpreh Skender Rexhepi – Fronti Evropian.

Ndërsa Ilire Dauti-ASH/Sela tha se pavarësisht qëndrimit të deputetëve maqedon ata duhet të jenë bashkë në rezolutën e Shqipërisë dhe Kosovë.

“Meqenëse sjellja e kolegëve tanë këtu maqedon duhet të jetë në këtë formë, pra neve na mbetet të bashkangjitemi në rezolutat e Shqipërisë dhe Kosovës. Është e pa pranueshme për mua sjellja në këtë formë”, tha ajo.

Kurse Merita Koxhaxhiku deklaroi se “Por me atë se në komision jam vetëm unë anëtare edhe atë e vërtetojmë por do ta vërtetojmë të njëjtën edhe me votat tona kur do të jetë në seancë plenare, pika për rezolutën do ti kemi 11 vota të koalicionit VLEN”.

Vlen të theksohet se anëtar shqiptar me të drejtë vote në këtë komision janë deputetët Merita Koxhaxhiku dhe Skender Rexhepi. Ilire Dauti është zv. anëtare që sot ishte si një nga propozuesit e rezolutës.

Të ngjashme