Të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca përgatitore ku Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina” (UP), ka paditur Komunën e Prishtinës dhe Kishën Ortodokse Serbe për vërtetimin e së drejtës së shfrytëzimit dhe kthimit në posedim.
Kjo për shkak se përfaqësuesi i të paditurës së parë, Komunës së Prishtinës, avokati Jeton Idrizi ka deklaruar se nuk e ka përgjigjen në padi si dhe provat që gjenden në shkresat e lëndës.
“Unë s’kam as përgjigje në padi e as provat, dhe kisha dashtë me u pajisë me provat. Tash hera e pare që dëgjova që ka përgjigje në padi”, tha Idrizi.
Andaj gjykatësi i çështjes, Jovica Mitroviq këtë seancë e ka shtyrë për 26 gusht 2021 në orën 10:00”.
“Sipas nenit 438 e paditura e parë nuk e ka pranuar përgjigjen në padi dhe dokumentacionin tjetër. Sipas këtij neni 438 alinea 1 nene pikën 1, është e mundur që të shtyhet shqyrtimi nëse është filluar shqyrtimi kryesor. Meqë këtu kemi të bëjmë me shqyrtim përgatitor unë kam menduar ta mbaj sot, por pasi që i padituri po deklaron se nuk e ka pranuar përgjigjen në padi i cili është kusht për mbajtjen e kësaj seance kështu që ne do ta shtyjmë”, tha gjykatësi Mitroviq, raporton “Betimi për Drejtësi
Fillimisht në këtë seancë, gjykatësi Mitroviq ka deklaruar se para fillimit të seancës kishte pranuar një parashtresë nga pala paditëse për shtyrjen e kësaj seance me qëllim të sigurimit të dokumentacionit të nevojshëm.
Lidhur me këtë, përfaqësuesi i UP-së, Esat Kelmendi tha se pasi që dokumentacioni lidhur me pronën kontestuese nuk gjendet në Kosovë, sipas tij nuk mund të vërtetohet se si është e regjistruar kjo pronë.
“Ne kemi mungesë të dokumentacionit në kadastër. Këto janë informata zyrtare që i kemi marrë nga zyra e kadastrit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, prandaj nuk është e mundur që të vërtetohet si është regjistruar prona në kadaster në mungesë të librave kadastral që nuk ekzistojnë aktualisht në Kosovë, që dëshmojnë se si është regjistru, janë çështje të negocimit ndërshtetëror. Prandaj duhet kohë për tu pritur dhe siguruar këto prova të cilat janë në interes të dy palëve”, tha Kelmendi.
Kelmendi tha se në përgjigjen e pranuar nga të paditurit nuk është pranuar asnjë provë e cila do të dëshmonte vërtetimin e drejtë të sipërfaqes ku është ndërtuar Kisha Ortodokse.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që të shtyhet seanca në kohë të pacaktuar në mënyrë që tu jepet afat palëve që rasti të zgjidhet përmes marrëveshjes, pasi që sipas tij ligji për ndërmjetësim e parasheh një gjë të tillë.
Ky propozim i përfaqësuesit të UP-së nuk është kundërshtuar nga përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, mirëpo i njëjti është kundërshtuar nga përfaqësuesi i të paditurës së dytë, Aleksandar Radovanoviq.
Sipas këtij të fundit, nuk është respektuar afati ligjor për një propozim të shtyrjes së seancës dhe se pala paditëse sipas tij, me përgjigjen në padi e ka pranuar të gjithë dokumentacionin lidhur me rrjedhën e regjistrimit të pronës kontestuese.
“Mbi të gjitha konsiderojmë që paditësi ka pas kohë prej vitit 2017 deri më sot që gjithë dokumentacionin e nevojshëm ta sigurojë ose se paku para 8 ditësh ta jepte këtë propozim që e ka dhënë sot. Për këtë në rend të parë nuk janë plotësuar kushtet procedurale që të aprovohet kjo kërkesë, andaj ne propozojmë që shqyrtimi i sotëm të mbahet”, tha ai.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 29 nëntor 2015, paditësi Universiteti i Prishtinës”Hasan Prishtina”, në Prishtinë, që prej datës 12 dhjetor 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha, në Prishtinë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe thuhet se është shfrytëzuar në mënyrë të pa penguar, pasi që e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit detal urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.
Po ashtu, në padi thuhet këto veprime janë të kundërligjshme pasi që të njëjtat janë marrë nën masat e dhunshme nga autoriteti i dhunshëm ish-Këshilli Ekzekutiv Komunal, andaj sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.
Me anë të kësaj padie UP-ja, po kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij, të vërtetohet se i njëjti ka të drejtën e shfrytëzimit të patundshmërisë në sipërfaqen e përgjithshme prej 4.27.16 ha, në Prishtinë, të detyrohet Komuna e Prishtinës që të bëjë ndryshimin e bartësit të të drejtës së shfrytëzimit të paluajtshmërisë e po ashtu të detyrohen dy të paditurat që atij t’ia kthejnë në shfrytëzim të lirë dhe të pa penguar këtë patundshmëri, si dhe në mënyrë solidare të paditurat atij t’ia kompensojnë shpenzimet e procedurës.