Në takimin për Fuqizimin e Gruas, për nder të 8 Marsit, të organizuar nga Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha mbajti fjalë rasti, ku ritheksoi rolin e pazëvendësueshëm të grave në shoqëri, të arriturat, por edhe sfidat në rrugën e fuqizimit shoqëror, ekonomik dhe politik të grave.
“Rikujtomë sakrificën e shumë grave të guximshme, pioniere për emancipimin e gjeneratave të tëra të shoqërisë sonë përmes edukimit, sakrificën e të gjitha atyre grave që luajtën rol kyç në luftën tonë për rezistencë, paqe dhe liri”, ceku Ministrja Hoxha dhe rikujtoi gratë të cilat e bënë të mundur rimëkëmbjen dhe rindërtimin e vendit.
Pozita e gruas në shoqërinë tonë është ngritur ndër vite, mund të vërejmë përmirësime të dukshme sa i përket pjesëmarrjes së grave në arsim, në ekonomi por edhe në politikë, potencoi Ministrja, por edhe në role që tradicionalisht janë performuar nga burrat si për shembull në fushën e sigurisë, ato kanë dëshmuar që mund të përmbushim rolin e tyre në mënyrë të suksesshme në krye të pozitave politikëbërëse.
“Gratë ende ballafaqohen me barriera të ndryshme që e vështirësojnë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e tyre të barabartë në shoqëri”, vuri në pah Ministrja duke përmend disa nga barrierat si trashëgimia, vendimmarrja në nivel lokale si dhe dhunën ndaj grave.
Zonja Hoxha përgëzoi organizatorët e Degës së PDK-së në Prishtinë, ku u shqyrtua prioritizimi i fuqizimit të gruas në programin politik që nuk është vetëm përgjegjësi e grave, por në fakt, është obligim i cilitdo lideri (pa dallim gjinie) që ka për qëllim përmirësimin e gjendjes së qytetarëve të vet.