Digjitalizimi mund të mos japë efekte në arsim, nëse s’furnizohen shkollat me pajisje përcjellëse

Prishtinë | 28 Jan 2023 | 08:40 | Nga Artiona Çitaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Arsimit për ndarjen e mjeteve për digjitalizim, ndërsa njohës të arsimit po kërkojnë që digjitalizimi të përkthehet në cilësi, raporton Ekonomia Online.

Sipas kryetarit të SBAShK-ut, digjitalizimi mund të mos japë efekte nëse nuk furnizohen me pajisje përcjellëse, si laptop e projektorë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kryesindikalisti ka thënë se është absurde të punojnë mësimdhënësit me shkumësa e lapsa.

“Sepse ne kot do t’i digjitalizojmë shkollat nëse nuk kemi pajisje brenda tyre, e kam fjalën për laptop, projektorë dhe të tjerë. Në shekullin 21 nuk mund ta kenë shumë të suksesshme me shkumësin dhe shpuzën, por duhet ta kenë laptopin, projektorin, në mënyrë që mësimi të jetë shumë më interesant”, tha Jasharaj.

Ai theksoi edhe një problematikë tjetër që është procedura burokratike për të zëvendësuar një mësimdhënës.

“Kemi telashe prapë me të sëmurët, kemi telashe me lehonat, nuk bëhet planifikim pastaj nxënësit humbin orë, e me javë gjersa të merret arsimtari tjetër ngase është një procedurë shumë burokratike, konkursi ç’konkursi, ne kemi insistuar që të kemi ose mësimdhënës vullnetarë ose të kenë lista të pritjes dhe si të shkojë një koleg i sëmurë apo një kolege lehonë, menjëherë të merret të nesërmen personi që është në listën e pritjes e jo të shpallen konkurse”, tha Jasharaj.

Digjitalizimin po e mirëpret drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja. Ai për Ekonomia Online kërkon që ky digjitalizim të kthehet në cilësi në arsim.

“Ajo çka neve shpresojmë shumë është që ky investim në digjitalizim të kthehet në cilësi të rritur në arsim”, tha Qehaja.

Strategjia e Arsimit 2022-2026 është miratuar në shtator të vitit të kaluar.

Të ngjashme