Diku mijëra e diku qindra pacientë në listat e pritjes në QKUK, në mesin e tyre edhe fëmijë

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Në listat e pritjes në klinikat e QKUK-së presin dikund mijëra e dikund qindra pacientë për të kryer intervenime ose për të marr shërbime diagnostike.

Pacientët që kërkojnë shërbime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vazhdojnë të përballen me lista të pritjes. Gazeta Shneta i ka siguruar listat e pritjes për 18 njësi në QKUK ku presin qindra e diku mijëra pacientë. Listat e pritjes janë të përpiluara në muajin dhjetor 2022, ndërsa pjesa tjetër e klinikave nuk i kanë dorëzuar listat.

Listat e pritjes në QKUK vazhdon t’i kryesojë Klinika e Kirurgjisë Vaskulare. Në këtë njësi janë në pritje 1555 për të kryer intervenimin e venave varikoze, ndërsa për intervenime të tjera nuk ka listë të pritjes.

Në Klinikën e Syve janë në pritje 1120 për operim të kataraktës, ndërsa për operim të strabizmit pacientët presin 2 deri 4 muaj. Për shërbime të tjera nuk ka listë të pritjes. Sipas drejtorit të Klinikës Ardian Shabani, këto raste pritet të kryhen brenda gjashtë muajsh.

Në Klinikën e Radiologjisë fatmirësisht nuk ka lista të pritjes për pacientë spitalor apo për raste emergjente. Ndërsa për rastet ambulantore, lista e pritjes për një rezonancë magnetike shkon deri në dhjetor të vitit 2023. Sipas drejtoreshës së Klinikës Shkëndije Nuza, terminet e pacientëve nuk do të thotë se janë afati i fundit për këtë shërbim, pasi listat e pritjes revidohen çdo muaj dhe pacientët mund të ftohen edhe më herët.

Në Kirurgjinë Torakale deri më 15 dhjetor 2022 numri i pacientëve në listë të pritjes ka shkuar deri në 923, por sipas raportit të klinikës një numër i tyre janë kryer gjatë muajve paraprak.

Listë të gjatë të pritjes ka edhe në Kirurgjinë Abdominale. Janë gjithsej 574 pacientë të regjistruar nga marsi deri në dhjetor të vitit të kaluar për kirurgji të hapur, ndërsa për Laparaskopi presin gjithsej 89 pacientë.

“Nga lista e pritjes për pacientët për të cilët është bërë termin për trajtim kirurgjik elektiv në muajt Shkurt –Mars 2022, jane trajtuar kirurgjikisht 52 pacientë gjatë muajve nëntor-dhjetor 2022”, thuhet në sqarimin e drejtorit të Klinikës Enver Fekaj.

Listë e gjatë e pritjes me 133 pacientë është edhe në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Në listë të pritjes ka edhe fëmijë të cilët kanë lindur në vitet 2021 ose 2020.

Ndërkaq në Kardiokirurgji janë në pritje për operacione në zemër 85 pacientë me kohëzgjatje rreth një vit.

Në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale janë në listë të pritjes 35 pacientë, ndërsa në Klinikën e Gastroenterologjisë lista e pritjes është shkurtuar, për Gastroskopi është 10 ditë ku presin 33 pacientë, ndërsa për kollonoskopi nuk ka listë te pritjes.

Në listën e Kirurgjisë së Fëmijëve janë në listë të pritjes 380 pacientë të grumbulluar që nga viti 2020, për diagnozat Herni inguinale dhe Anomali tjera të zbritjes se testiseve në skrotum (retenc testikulare, Cryptorchismus).

“Nga kjo liste e ketyre pacienteve ne listen e pritjes, 112 jane ne liste me prioritet qe nenkupton pacienet te cilet pasi jane futur ne program operative per shkaqe te ndryshme ( te ftohur, i eshte kerkuar konsulte shtese nga ana e Anesteziologut, mungesa e Anesteziologeve, nuk jane lajmeruar ne kohe, etj) nuk i jane nenshtruar interevnimit kirurgjik te planifikuar paraprakisht”, thuhet në sqarimin e drejtorit të klinikës Ardian Shefkiu.

Në Klinikën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim, për vizitat specialistike tek ftiziatrit janë në listë të pritjes 295 pacientë, për terapi fizikale ambulantore 273 pacientë si dhe për hospitalizime 18 pacientë.

Në Klinikën e Neurologjisë janë të regjistruar një numër i madh i pacientëve për disa shërbime, por sipas sqarimit të drejtorit Edmond Komoni, një pjesë e madhe e këtyre pacientëve në fakt nuk janë në pritje por janë të regjistruar për vizita të planifikuara ose kontrolluese, shkruan Gazeta Shneta.

Për EEG janë në pritjes ose të planifikuar 1095 pacientë, për EMNG 814 pacientë dhe për doppler të arterieve të qafës 95 pacientë. “Këtu nuk llogariten rastet e hospitalizuara të cilave ju kryhen ekzaminimet në baza ditore, rastet e hospitalizuara nga klinikat tjera të QKUK-së, dhe rastet me indikacione urgjente”, thuhet në sqarim.

Ndërkaq në Klinikën e Neurokirurgjisë janë në listë të pritjes 19 pacientë për diagnozën Hernia Discale.

Në Klinikën e Onkologjisë në listë të pritjes për CT simulim janë 45 pacientë kurativ dhe 18 pacientë paliativ, derisa për rrezatim me rreze Infinity presin 51 pacientë dhe me rreze Primus 7 pacientë. Ndërkaq në shërbimin e Brahitareapisë janë në pritje të planifikuar 17 paciente.

“Konstatojmë se nuk kemi liste te pritjes ne repartin e kimioterapisë”, thuhet në sqarimin e drejtorit Arben Bislimi, shkruan Gazeta Shneta.

Në Klinikën e ORL-së janë në listë të pritjes 260 pacientë pediatrik, në Laringologji 49 ndërsa në Rinologji 42 pacientë.

Në Klinikën e Gjinekologjisë listat e pritjes mund të jenë dy deri në tre javë sipas drejtorit Zef Ndrejaj. Sipas tij, kjo pritje mund të ndodh për shkak të ngarkesës në programin operativ me rastet urgjente.

Në Klinikën e Urologjisë janë regjistruar në listë të pritjes gjithsej 67 pacientë nga viti i kaluar për diagnoza të ndryshme.

Listë të pritjes ka edhe në Shërbimin Klinik të Ortoprotetikës ku 54 pacientë presin për korseta për shkak të sëmundjes së skoliozës.

Të ngjashme