Mesfushori francez, Ngolo Kante, është një nga protagonistët e suksesit të skuadrës së Didier Deschamps, ndonëse loja e tij bie fare pak në sy.
Mesfushori i Chelseat nuk është spektakolar në fushë, nuk dhuron numra argëtues dhe nuk shënon gola, por vrapon dhe rikuperon topa si askush tjetër në pozicionin e tij.
Kante është lojtari i katërt që ka bërë më shumë kilometra (62,6), i lënë pas vetëm nga Modric, Zobnin dhe Rakitic, të cilët kanë luajtur ndeshje që kanë pasur nevojë për 30 minutat e shtesës.
Por, futbollisti me origjinë nga Mali, për të arritur deri këtu ku është sot (një nga mesfushorët më të mirë në botë në rolin e tij) ka bërë rrugë të gjatë.
Sipas “Globoesporte”, kur fëmijët francezë shikonin Botërorin e vitit 1998 në televizor, ai mblidhte plehra në rrugët e Parisit.
Kur Didier Deschamps dhe Zinedine Zidane kurorëzoheshin kampionë bote, Kante shkonte me babanë për të punuar.
Në moshën 7-vjeçare pastronte rrugë dhe mblidhte plehra për t’i dërguar më pas në plantacionin e riciklimit.
Tani Kante është shndërruar në një nga mesfushorët më të mirë të llojit të tij dhe të dielën në mbrëmje mund të shpallet kampion bote.
As ëndrrat naive të një 7-vjeçari vështirë se do të mbërrinin deri këtu.