“Dil vetë në zgjedhje, mos u kacavjerrë në parti tjera” – përplasen Bajrami e Kusari-Lila në Kuvend

Prishtinë | 18 Jan 2024 | 14:53 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënkryetarja e LDK-së, deputetja Hykmete Bajrami dhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila janë përplasur në Kuvend.

Në seancën e sotme parlamentare ku po diskutohet për çështjen e faturave të energjisë elektrike, Bajrami kërkoi që të flasin deputetët e pushtetit, pasi për Kusari-Lilën dhe sa s’është pjesë e LVV-së.

“Ka qenë pjesë e të gjitha qeverive në të kaluarën, ka qenë zëvendëskryeministre kur është privatizuar distribucioni dhe ka qenë anëtare e Komitetit të Privatizimit si ministre e Tregtisë atë kohë”, tha ndër tjerash Bajrami.

Kusari-Lila, në replikë, tha se Bajrami “shpifi”.

“Është e vërtetë që qytetarët mbajnë mend, për atë e kanë sjellë Lidhjen Demokratike në 12%. Dhe në shpifjen e saj se unë kam qenë pjesë e të gjitha qeverive, po du me i thënë veç listoji në cilat qeveri kam qenë pjesë. Përveç njërës, unë kam qenë vetëm një herë në jetën time në një mandat qeverisës ministre, ti ke qenë në tri”, tha ajo, duke shtuar se partisë së saj ia kanë treguar vendin qytetarët.

Bajrami, në kundërreplikë, i tha Kusari-Lilës të dalë e vetme në zgjedhje “për me e pa ku e ke vendin”.

“Zonja Kusari, unë nuk shpifi. Qytetarët e dinë shumë mirë kush je ti. Për me e pa ku e ke vendin, urdhëro, del në zgjedhje e vetme, mos u kacavjerrë nëpër listat e partive tjera. Për me e pa ku e ke vendin. Ashtu të matet vendi ty dhe unë e ti matemi. Vetëm kur të dalësh vetëm, kur të dalësh me Alternativën. Tregom kush e njeh një anëtar tjetër të Alternativës”, tha ajo.

“Nuk ka parti politike të cilës nuk iu ke kacavjerrë”, tha ndër tjerash Bajrami.

Të ngjashme