Zv/ndihmës sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, ka vizituar sot Shqipërinë, ku është takuar me zyrtarët e lartë të vendit, raporton Anadolu Agenncy (AA).
Vizita e zyrtarit amerikan vjen në një kohë kur në Shqipëri vazhdojnë mosmarrëveshjet pozitë-opozitë, pasi partitë opozitare refuzojnë të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentar të 18 qershorit, me kërkesën për krijimin e një qeverie teknike.
Hoyt Brian Yee vizitën e ka filluar me takimin që ka realizuar në selinë e Këshillit të Ministrave me kryeministrin Edi Rama, pa praninë e mediave, ndërsa më pas është takuar me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe me liderin e opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
Diplomati amerikan në një takim me gazetarët ka theksuar se është e rëndësishme që zgjedhjet parlamentare të mbahen, dhe sipas tij zgjidhjet duhet të vijnë nga liderët politikë.
Në një njoftim zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë, thuhet se Meta gjatë takimit “Shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj forcimit të institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe vuri theksin mbi rëndësinë e thellimit të këtij partneriteti strategjik në interes të avancimit me reformën në sistemin e drejtësisë dhe me procesin e integrimit evropian të vendit.”
Hoyt Brian Yee e ka uruar Metën për zgjedhjen e tij në postin e presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe theksohet se vuri në dukje se SHBA do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
Sipas njoftimit, rreth zhvillimeve fundit politike në vend, Meta theksoi se mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme kërkon më tepër përgjegjshmëri e më shumë gjithëpërfshirje.
“Bojkoti nuk është zgjidhje dhe opozita duhet të gjejë të gjitha forcat për t’u përfshirë në procesin zgjedhor, për t’i shërbyer demokracisë dhe të ardhmes evropiane të vendit. Njëkohësisht maxhoranca duhet të tregojë vullnet maksimal për përfshirjen e opozitës dhe respektimin e kërkesave dhe të drejtave të saj”, theksoi Meta, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Kujtojmë se partitë opozitare në Shqipëri kanë refuzuar regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe kërkojnë krijimin e një qeveri teknike për organizmin e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.
Lidhur me kërkesat e opozitës, në javët e fundit u zhvilluan edhe negociata mes drejtuesve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, që udhëheq qeverinë dhe Partisë Demokratike, me ndërmjetësimin e Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, por edhe të institucioneve ndërkombëtare. Negociatat nuk prodhuan ndonjë marrëveshje konkrete për të bindur opozitën që të marrë pjesë në zgjedhje.