Disa komente të kursyera mbi librin e Lea Ypit

Prishtinë | 25 Dhj 2021 | 20:30 | Nga Ermal Hasimja

Lexova librin e Lea Ypit. 99% e librit është përshkrimi i kujtimeve të një fëmije në komunizëm dhe deri këtu është përvojë e njëjtë me pothuajse këdo që sot është mbi 40 vjeç.
Ndonjë pasaktësi e vogël nuk më duket problem.
Qëndrimi i autores në mbyllje se njerëzit sot janë po aq larg lirisë sa ishin në komunizëm nuk është dhe aq i argumentuar, por nisur nga formati letrar i librit as nuk mund ta presësh. Nuk e ve në dyshim se autorja e bën këtë argumentim gjetiu rregullisht si pedagoge dhe përmes publicistikës.
Shija e hidhur që më la libri në fund lidhet me keqardhjen time që ka njerëz që barazojnë mungesën e lirisë në një regjim totalitar me mungesën e supozuar të lirisë në ditët e sotme. Duhet të kesh një konceptim shumë të veçantë të lirisë që të mund ta përligjësh këtë barazim të përdhunshëm.

Është disi e pamundur të argumentosh pse liria në komunizëm nuk është njësoj me lirinë në kapitalizëm. Jo për mungesë argumenti, por për mungesë shprese. Kur dikush mendon kështu zakonisht dorëzohesh, nuk ke pikë vullneti për të debatuar. Thjesht të vjen keq.

Autorja e koncepton lirinë si mundësi për të realizuar dicka, si liri pozitive (në kuptimin e dhënë, e mbështetur, e krijuar) nga shteti. Kjo trajtë i kundërvihet konceptimit klasik liberal të lirisë si mungesë pengesash të qëllimshme nga shteti. Në komunizëm ne nuk vuanim thjesht nga pamundësia për të realizuar dëshirat tona, ne vuanim nga ngulfatja e çdo grimce frymëmarrjeje lirie nga doktrina marksiste-leniniste. Në komunizëm ishim të gjithë të varfër deri në mjerim qesharak. Sot natyrisht ka njerëz të varfër. Por sot nuk të ndalon askush të ndryshosh jetën tënde. Kur autorja thotë se “strukturat” e sotme pengojnë njerëzit të jenë të lirë, në fakt kjo përkthehet “shoqëria e shteti nuk i mundësojnë të gjithëve të përkthejnë lirinë e tyre në një jetë më të mirë”. Por ka një dallim gjigand mes pengesës së lirisë dhe mosofrimit të realizimit të fryteve të saj. Një shembull, nëse komunizmi do të vazhdonte autorja nuk do të mund të shkonte në universitet për shkak të luftës marksiste të klasave. Sot, autorja është e lirë të japë leksione (me sa duket frymëzuese) për Marksin në një nga universitetet më të njohura të botës. Në të njëjtin universitet kam konstatuar edhe vetë lehtësinë e papërballueshme të përdorimit të kësaj lirie për të promovuar teorinë e diktaturës së proletariatit si teorinë e lirisë së vërtetë. Zonja Ypi, në një sistem kapitalist që ajo e konsideron me të njëjtën mungesë lirie si komunizmi, pati mundësinë të realizonte lirinë e saj. Duke nisur rrugëtimin e saj nga e njëjta pozitë, i njëjti mjerim, përballë të njëjtave “struktura lirivrasëse” të kapitalizmit si 3 milionë shqiptarët e tjerë. Në komunizëm do t’i mjaftonte shprehja e një dëshire të tillë për të përfunduar në burg. Vetë karriera e autores hedh poshtë krahasimin që i bën ajo lirive ose mungesës së lirive në komunizëm e kapitalizëm.

Nuk kam aspak nevojë të përdor kritikën liberale për të hedhur poshtë konceptimin e lirisë që sygjeron libri. Mjafton analiza e tekstit. Por po shtoj edhe një element tjetër:

Në një intervistë me Ilva Taren dëgjova zonjën Ypi të thoshte se për të “të jesh i lirë është të bësh atë që duhet nga ana morale”. Ky është konceptimi gati-kantian mbi të cilin është mbështetur çdo totalitarizëm e diktaturë moderne. Kjo vjen për dy arsye: Së pari sepse liria është e kundërta e detyrimit. Kur ti bën diçka sepse duhet dhe jo sepse do, atëherë nuk je i lirë. Ndoshta je i drejtë, i saktë, korrekt, i ndershëm, i dobishëm, por jo i lirë. Normativja morale egziston dhe është krijuar pikërisht si kufizuese e lirisë. Ligji e morali përcaktojnë atë që është e ndaluar, domethënë kufizimin e lirisë. Liria nuk ka nevojë për përcaktim. Liria egzistonte përpara se njeriut t’i shkonte ndërmend të krijonte ligje. Kompromisi që bëjmë në organizimin politik është ai mes normatives dhe lirisë, thënë ndryshe një negociim i përhershëm i përcaktimit të kufinjve të njërës në kurriz të tjetrës. Sa më shumë norma aq më pak liri. Kur i jep dikujt të drejtën të përcaktojë cfarë është e drejtë për të bërë ti i jep të drejtën e pakufishme për të të hedhur në qafë zgjedhën e robërisë.

Së dyti, morali është një koncept lehtësisht i manipulueshëm e i interpretueshëm sepse të hap një kuti Pandore aksiologjike më të thellë sesa pusi i Danaideve. Komunizmi, fashizmi, nazizmi, teokracitë fondamentaliste janë ngritur të gjitha mbi idenë e superioritetit detyrues të moralit mbi lirinë individuale. Shkurt, ky koncept i lirisë është në fakt e kundërta e lirisë. Çfarëdo që të jetë liria, nuk është kjo. Ky konceptim do të trondiste jo vetëm një liberal, por edhe shumë të majtë që kanë hequr dorë nga konceptimet e përbotshme të vlerave që mbrojnë dhe tashmë synojnë më tepër ngritjen e një hegjemonie kulturore të majtë pa pretendime të atij lloji të metafizikës shkencore që ndërtoi Marksi.

Ky libër mund t’i shkojë për shtat shijeve të së majtës së kaviarit në universitetet perëndimore. Ai mund t’i pëlqejë edhe një publiku shqiptar të pamësuar me sportin e debateve politike. Kam vërejtur me çudi se i ka pëlqyer edhe ndonjë antikomunisti që njoh.

Reagimi duartrokitës ndaj librit flet shumë për mënyrën sesi shqiptarët e kanë përtypur historinë e tyre në komunizëm dhe sa janë meritues të realizimit të lirisë për të cilën brohorisnin në 1990.

Të ngjashme