Disa raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit, viktima gratë

Prishtinë | 12 Mar 2019 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Disa raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në policinë e Kosovës.

Në raportin 24 orësh, Policia e Kosovës ka sqaruar rastet e në të cilat viktima del të jenë gratë.

Në rastin e parë, në Podujevë, një person është arrestuar pasi pas një mosmarrëveshje familjare kishte sulmuar fizikisht nënën dhe motrën e tij, duke iu shkaktuar lëndime trupore. Në këtë rast, viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Istog, një grua ka raportuar në polici se i dyshuari me të cilin është duke bashkëjetuar e kishte larguar nga shtëpia. Për rastin është arrestuar i dyshuari, dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, bëhet e ditur se është liruar në procedurë të rregullt.

Dhunë në familje është raportuar edhe në Gjakovë. Aty një burrë është arrestuar pasi kishte kërcënuar bashkëshorten e tij. Viktima me dëshirë është strehuar te familja e prindërve të saj, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Podujevë është arrestuar një person pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj dy viktimave femra, të cilave u ka shkaktuar lëndime të lehta trupore. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Dy raste të kanosjes janë raportuar në Vushtrri e Leposaviq. Aty gratë kanë raportuar se janë kanosur nga ish-bashkëshortët. Të dy rastet kanë shkuar në procedurë të rregullt.

Të ngjashme