Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat për mediat në vend edhe në ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.
Me anë të një postimi në Twitter kryeministri u shpreh se në Shqipëri nuk ka media të intimiduara apo gazetarë që u pengohet liria. Ai tha se në vend ka gjithnjë e më shumë “viktima të shpifjeve e gënjeshtrave e lajmeve të rreme.
Rama tha se gazetarët shqiptarë nuk kanë qenë ndonjëherë viktima të dhunës policore, ata që kritikojnë qeverinë nuk përballen me sulme politike dhe për vetërregullim etik nuk mund të bëhet fjalë. Sipas tij, ankesat për mungesën e lirisë vijnë pasi me lirinë s’dinë ç’të bëjnë.
“E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin,në emër të saj!
Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri?Çfarë gënjeshtre!Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike?Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare?Çfarë talljeje!Vetëm titulli mungon:Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!
Në Shqipëri s’ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve,gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s’ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s’ekziston!”