Kuvendi i Kosovës do t’i japë sot (e premte) start transicionit drejt shndërrimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura.
Në seancën plenare me të vetmen pikë të rendit të ditës, do të votohet pakoja e ligjeve me të cilat ndryshohet roli i FSK-së nga Forcë e Sigurisë në Forcë Ushtarake, por pa ndryshim emri, shkruan Koha Ditore.
Ky vendim, i cili vjen pas pesë vjetësh tentativë, është përkrahur nga Shtetet e Bashkuara e Gjermania, por kundërshtohet nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, që aktualisht ruan kufijtë e Kosovës. Ndërkaq serbët kanë alarmuar për rrezikun e përshkallëzimit të situatës, duke kërkuar ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për ta paralizuar mësymjen e Kosovës për themelimin e Ushtrisë.
Si rrallëherë këtë legjislaturë, Kuvendi ka në plan të mbajë një seancë që prodhon vendimmarrje. Në rend dite është votimi i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes; Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.