Demokracia në Veprim (DnV) ka dënuar ashpër incidentin mes deputetit Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka, për të cilët thotë se janë përfaqësues të qytetarëve.
Albert Krasniq, nga DnV, tha se dhuna nuk është mjet përmes së cilës partitë politike e ushtrojnë rolin e tyre apo zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete.
“Përleshja fizike dhe gjuha denigruese e përdorur ndërmjet dy përfaqësuesve të qytetarëve, përkatësisht e deputetëve, është e papranueshme dhe ne e dënojmë ashpër. Veprimet e tilla nuk mund të justifikohen në asnjë formë, prandaj partitë politike duhet të distancohen qartazi”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që mos të provokohen nga raste tilla dhe të ruajnë qetësinë.
“Është e rëndësishme që fushata zgjedhore të mos ndikohet nga rastet e tilla, duke kaluar në ashpërsim të gjuhës së urrejtjes të cilat mund të dëmtojnë seriozisht një proces kaq të rëndësishëm për konsolidimin e demokracisë së vendit, siç janë zgjedhjet. Këto veprime nuk janë në frymën e asaj sesi ne si shoqëri po tentojmë të ndërtojmë shtetin tonë. Deputetët e përfshirë në këtë rast, duhet të mbahen përgjegjës individualisht për veprimet e tyre”.
Krasniqi, ka folur edhe për incidentet e tjera gjatë fushatës.
“Mbrëmë rreth orës 22:00 në Pejë, në rrugën “Eliot Engel” te Ura e Gurit janë dëmtuar me gurë zyrat e VV-së nga persona të panjohur. Me 28 shtator rreth orës 20:00 në fshatin Gllarevë, kandidatit për Asamble i AAK-së, Dega Klinë Nazif Gashit, i është djegur vetura nga persona te panjohur. Me 27 shtator Zyra e LDK në fshatin Raushiq, është goditur me gur ku është dëmtuar një xham. Nuk ka ndonjë dëshmitar të rastit ndërsa policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka mbledh dëshmitë”.
DnV, ka vazhduar monitorimin e fushatës zgjedhore në rang vendi me anë të angazhimit të 61 vëzhguesve afatgjatë, të cilët do të raportojnë në baza ditore mbi mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore, që po zhvillojnë kandidatët për kryetar komunash dhe kandidatët për anëtarë të kuvendeve komunale të cilat po garojnë për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.
Jeta Krasniqi nga DnV, ka thënë se pjesa më e madhe e aktiviteteve zgjedhore të monitoruara nga DnV kanë qenë takime me 50 deri në 100 pjesëmarrës si dhe vërehet një rritje e takimeve të mbajtura me 100 deri në 500 pjesëmarrës nga ditët e para të fushatës, ndërsa 10 nga takimet e monitoruara kanë qenë tubime me mbi 1000 pjesëmarrës.
“Përdorimi i resurseve publike është vërejtur në 15 nga 292 aktivitetet zgjedhore të monitoruara nga DnV ku është vënë re prania e shërbyesve civil dhe veturave zyrtare, në 12 raste nga PDK, ndërsa LDK ka 3 raste, dy raste nga Nisma, si dhe në një rast nga LVV dhe nga Lista Serbe”, tha ajo.
“Në 87 nga 292 aktivitete (30% të aktiviteteve) të fushatës zgjedhore të pranishëm kanë qenë edhe fëmijët, numri total i të cilëve është 671. Në 28 nga 76 aktivitete (37%) të LVV-së ka pasur pjesëmarrje të fëmijëve, në 24 nga 66 aktivitete (36%) të LDK-së, në 16 nga 65 (25%) aktivitete të PDK-së, në 9 nga 21 (43%) aktivitete të NISMA-së, ndërsa tek AAK në 4 nga 24 aktivitete (17%) , ndërsa te Alternativa prania e fëmijëve është vënë re në 2 aktivitete dhe AKR në 1 aktivitet”, tha Krasniqi.
Sipas saj, mediat kanë qenë të pranishme në 54% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në nivel vendi dhe kanë raportuar lirshëm.
Kurse pjesëmarrja e grave në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të fushatës zgjedhore ka vazhduar të jetë në mesataren e rreth 10%. Në baza gjinore, në aktivitetet e subjekteve politike kanë folur 802 burra (përkatësisht 80%) dhe 202 gra (përkatësisht 20%).
Sa i përket gjuhës së urrejtjes në 9 nga 292 aktivitete të monitoruara është vënë re përdorim i gjuhës së urrejtjes, përkatësisht në 6 aktivitet të organizuar nga PDK dhe me nga 1 rast tek LVV e NISMA ndërsa rasti tjetër është nga komuniteti jo shumicë.