“Demokracia në Veprim”, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për shkurtimin e afatit për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Drenasit.
Sipas tyre, vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me ligjin që përcakton zgjedhjet lokale.
“KQZ nuk ka marrë parasysh që PZAP mund të urdhërojë KQZ-në të rinumërojë apo të përsërisë votimin në ndonjë Qendër të votimit në rast se konstatohen parregullsi. Për më tepër, vendimi për caktimin e datës për raundin e dytë të zgjedhjeve është bërë në kundërshtim me nenin 9.6 të Ligjit Nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale që përcakton se Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet ditën e diele katër (4) javë pas raundit të parë, duke shkurtuar kështu në mënyrë të kundërligjshme afatin për raundin e dytë”, thuhet në njoftimin e DnV-së.
Ja reagimi i plotë:
Reagim ndaj Vendimit të KQZ-së për shkurtimin e afatit për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës në Gllogoc.
Vendimi i KQZ-së është marrë në ora 15:30 pa përfunduar afati prej 24 orësh nga data e mbajtjes së zgjedhjeve për të dorëzuar ankesat, pa u numëruar fletëvotimet me kusht, dhe për më tepër pa u bërë certifikimi i rezultateve zgjedhore. KQZ nuk ka marrë parasysh që PZAP mund të urdhëroj KQZ-në të rinumëroj apo të përsërisë votimin në ndonjë Qendër të votimit në rast se konstatohen parregullsi.
Për më tepër, vendimi për caktimin e datës për raundin e dytë të zgjedhjeve është bërë në kundërshtim me nenin 9.6 të Ligjit Nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale që përcakton se Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet ditën e diele katër (4) javë pas raundit të parë, duke shkurtuar kështu në mënyrë të kundërligjshme afatin për raundin e dytë. Përkundër që Neni 4.4 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale parasheh mundësinë e ndryshimit të afateve kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, ne pretendojmë që ky Nen ka të bëjë vetëm me qeverisjen e zgjedhjeve dhe jo me caktimin e afateve të cilat janë qartë të përcaktuara në nenin 9.6 të këtij ligji.