Dogana zotohet për partneritet më të fuqishëm me komunitetin e biznesit

Prishtinë | 04 Pri 2017 | 13:35 | Nga

Heqja e barrierave në qarkullimin e mallrave, sfidat e tjera me të cilat përballen bizneset në vend, duke përfshirë taksën doganore në lëndën e parë dhe luftimi i ekonomisë joformale , ishin në fokus të diskutimit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka e vlerësoi pjesëmarrjen e Drejtorit të ri të Doganës në një diskutim për të dëgjuar shqetësimet e bizneseve anëtare të Odës Amerikane. Zeka tha se investimet në infrastrukturën rrugore Kosovë-Shqipëri janë të pamjaftueshme nëse nuk shfrytëzohen për qarkullimin e lirë të mallrave, duke kërkuar edhe shtimin e dinamikave në krijimin e mëtejmë të lehtësirave si me Shqipërinë, ashtu edhe me vendet tjera të rajonit. Ai theksoi se ka pasur përmirësim në aspektin e rivlerësimit të mallrave, duke pasur parasysh numrin e vogël të ankesave nga anëtarët e Odës Amerikane.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha u shpreh i kënaqur të takohet me bizneset anëtarë te Odës Amerikane për të diskutuar mbi sfidat tregtare, gjetjen e zgjidhjeve për t’i eliminuar këto barriera dhe thellimin e bashkëpunimit. Ai vlerësoi se Dogana është një institucion mjaft stabil që ofron një qasje pro zhvillimit të përgjithshëm të bizneseve dhe që shfrytëzohet për lehtësirat tregtare, por edhe mbledhjen e taksave.

Berisha tha se Dogana ka bërë progres edhe në bashkëpunimin e saj me institucionet tjera ndërkombëtare pas anëtarësimit në Organizatën Botërore të Doganave, anëtarësim ky i cili do të ndikojë që Kosova të jetë pjesëmarrëse në ngjarje të rëndësishme që ndihmojnë në eliminimin e barrierave për bizneset kosovare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme