Doracaku i edukatës seksuale, reagon ish-ministri Bajrami

Prishtinë | 18 Nën 2024 | 08:21 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për çështjen e hartimit të doracakut të edukatës seksuale, të cilin (Bajramin), ai e bëri përgjegjës për doracakun në kohën kur ishte ministër arsimi, raporton Ekonomia Online.

Bajrami ka thënë se institucionet e shtetit duhet të jenë të hapura për reflektim dhe përmirësim kur gabojnë.

“Dëshiroj të sqaroj se në shkurt 2016, kur unë isha në udhëheqje të MASHTI-t, është paraqitur kërkesa tek UNFPA (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë) për mbështetje në hartimin e doracakëve për mësimdhënës. Për këtë, shpreh mirënjohjen time ndaj UNFPA-së për gatishmërinë e tyre për të ofruar ndihmë duke qenë një agjenci e Kombeve të Bashkuara që punon për të përmirësuar çështjet që lidhen me popullsinë dhe zhvillimin”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

“Gjithsesi, hartimi dhe miratimi i përmbajtjes së doracakëve nga njësitë përkatëse të MASHTI-t nuk ka ndodhur gjatë periudhës kur unë isha në udhëheqje të ministrisë”, tha ai.

Sipas tij, gabime në tekste shkollore, planprograme dhe doracakë kanë ndodhur, përfshirë periudhën kur ai ka shërbyer, ndodhin dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen.

“Ajo që është më e rëndësishme, është që institucionet shtetërore përkatëse të jenë të hapura dhe të tregojnë gjithmonë gatishmëri për reflektim dhe përmirësim”, tha Bajrami.

Të ngjashme