Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Fushë Kosovës, Naser Grajçevci, të dy nënkryetarët Bajram Shala dhe Nijazi Kolshi, si dhe disa anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues, kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat dhe nga të qenit anëtarë të PDK-së.
Krejt këta kanë thënë se nuk po japin dorëheqje për t’u liruar nga përgjegjësia, por për shkak të rrethanave të krijuara anashkaluese nga qendra e PDK-së dhe pamundësisë për të përmirësuar gjendjen aktuale.
Komunikata e plotë e të dorëhequrve:
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Fushë-Kosovë e ka zhvilluar aktivitetin politik që nga themelimi (në vitin 2000) dhe ka bërë punë të vazhdueshme për të përmirësuar jetën e përgjithshme të shoqërisë fushëkosovare në ndërtimin e institucioneve shtetërore në nivel lokal dhe nacional. Në kuadër të aktivitetit politik, PDK në Fushë-Kosovë ka bërë punë të palodhshme në interes të përgjithshëm shoqëror dhe partiak, si dhe ka luajtur rol kryesor si opozitë në institucionet e Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës, duke u angazhuar gjithherë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Sfidat, sakrificat, angazhimet dhe vendosmëria e anëtarësisë së PDK-së në Fushë-Kosovë kanë qenë dhe janë të pamatshme kundrejt të tjerëve, për faktin se kanë dhënë mund të pakursyer për të ndryshuar qasjen e organeve qeverisëse në Fushë-Kosovë në raport me qytetarët e saj. Përveç kësaj, gjithandej anëtarësia me udhëheqësit e tyre kanë kontribuar palodhshëm në fuqizimin dhe masivizimin partiak të PDK-së.
Kontributi i pamatshëm, stoicizmit partiak dhe qëndrimi i gjatë opozitar i anëtarësisë dhe i udhëheqësve të PDK-së në Fushë-Kosovë, për 18 vite, nuk është vlerësuar asnjëherë sipas meritokracisë nga qendra e PDK-së. Për këto 18 vite, politikat kadrovike të qendrës kundrejt kuadrove dhe ekspertëve që vijnë nga anëtarësia e gjerë e degës së PDK-së në Fushë-Kosovë kanë qenë të padrejta dhe të papërfillshme. Këto fakte i kanë pranuar edhe vetë drejtuesit aktualë dhe të mëhershëm të qendrës qoftë në forume partiake, qoftë nëpër tubime elektorale me anëtarësinë.
Anashkalimi në punësime e kësaj pjese të anëtarësisë, qytetarëve dhe rinisë së Fushë-Kosovës dëshmohet edhe nga faktet se në kompanitë publike, si: KEK, Infrakos, Trainkos, Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, një pjesë e PTK, KEDS dhe KOSTT, të cilat i kanë selitë dhe lokacionin e veprimtarive të tyre afariste në Fushë-Kosovë, e që do të duhej të kishin prioritet në punësim. Në të gjitha këto kompani, fatkeqësisht, siç dëshmojnë edhe aferat e shumta, kuadrot kredibile nga Fushë-Kosova i kanë privuar nga e drejta për të bartë pozita drejtuese në këto kompani. Përmes këtyre anashkalimeve anëtarësia dhe në përgjithësi rinia e Fushë-Kosovës janë privuar nga e drejta për trajtim të barabartë në punësim. Secili qytetar i Fushë Kosovës në veçanti të: Grabovcit, Bardhi të Madh, Mesbardhit, Bardhit të Vogël, Sllatinës, Harilaqit, Hencit, Miradisë së Ulët dhe të Epërme, Vragolisë dhe Lismirit ndj ehet i mllefosur për anashkalimin e tyre në punësim. Nga papërgjegjësia totale e disa udhëheqësve (drejtorë) të paaftë, të pilotuar në këto kompani, jo vetëm se abuzohet me punësime, por jeta e qytetarëve të komunës së Fushë-Kosovës dhe pronat e tyre po dëmtohen përditë edhe në aspektin ambiental.
Kjo degë, me mbi 820 aktivistë të organizuar sipas standardeve organizuese: Kuvend, Këshill Drejtues, Kryesi të Degës, Rini Demokratike, Grua Demokratike, këshilla dhe kryesi të nëndegëve, grupe të ekspertëve etj. kanë dhanë kontribut në secilën nga zgjedhje elektorale, duke kontribuar prej 2800-3200 votash në hambarin e PDK-së. Kjo qasje mospërfillëse e qendrës ndaj tyre ka vë dilema në vazhdimin e përkrahjes së mëtutjeshme. Prandaj, kjo qasje jo motivuese për këtë pjesë të shoqërisë është e papranueshme për pjesën dërmuese të saj, duke përjashtuar individë të caktuar të cilët kanë përfituar jo në linja të rregullta institucionale, por nga gjeturia, afërsia apo forma të tjera.
Mosgatishmëria e vazhdueshme e qendrës për ta trajtuar me dinjitet këtë degë, veçanërisht anëtarësinë e devotshme të saj, edhe më parë ka rezultuar me disa dorëheqje individuale të mëhershme të anëtarëve të kryesisë, me dorëheqje të ish-kryesisë së Rinisë Demokratike para një viti, kurse në vazhdimësi ka pasur kërkesa të anëtarësisë për të kërkuar alternativa tjera personale apo grupore, por që udhëheqësit e Kryesisë së kësaj dege i kanë parandaluar duke kërkuar gjithherë mirëkuptim duke aluduar në zotimet e qendrës në angazhimin e gjetjes së mundësive të cilat zotime për këto 18 vite asnjëherë nuk u realizuan. Gjithashtu duhet potencuar faktin se jo vetëm kryesia e tanishme, por edhe kryesitë paraprake të degës nuk janë ndalur asnjëherë së kërkuari mbështetjen për anëtarësinë e saj nga qendra, por gjithherë kërkesat e tyre nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë efekt konkret më shumë se sa premtime të qendrës para apo gjatë proceseve zgjedhore.
Obligimet, përgjegjshmëria ndaj anëtarësisë, udhëheqësit e degës i kanë pasur përherë në rend të parë, ndërsa në anën tjetër mospërfshirja në vendimmarrje dhe mospërkrahja ka krijuar vështirësi deri në pamundësi për të ndihmuar apo avancuar interesat e përgjithshme të degës.
Bindja, përkushtimi, angazhimi dhe sakrifica e anëtarësisë dhe e kryesisë kanë qenë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse për t’i çuar përpara proceset e përbashkëta.
Duke i parë të gjitha këto anashkalime, mosrespektim dhe mostrajtim të mirëfilltë ndaj kësaj dege, dhe mos dukja në horizont e asnjë shprese se kjo gjendje mund të ndryshojë, ne të deklaruarit, kryetari dy nënkryetarët disa anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues së Degës së PDK-së në Fushë-Kosovë japim dorëheqje nga të gjitha strukturat dhe nga të qenit anëtarë të PDK-së, jo për t’u liruar nga përgjegjësia, por për shkak të rrethanave të krijuara anashkaluese dhe pamundësisë për të përmirësuar gjendjen aktuale.
Me këtë rast, i falënderojmë të gjithë anëtarët e PDK-së në Fushë-Kosovë dhe strukturat tjera të degës për besimin dhe mbështetjen e pakursyer që na kanë dhënë në rrugëtimin e përbashkët 18-vjeçar. Aktiviteti ynë politik individual ose grupor nuk do të ndalet, do të vazhdohet në forma të ndryshme për të kontribuar për interesin e përgjithshëm në jetën shoqërore, politike, sociale dhe ekonomike në komunën e Fushë-Kosovës dhe më gjerë, andaj secili anëtar që ndihet i zhgënjyer dhe i anashkaluar do të jetë i mirëseardhur në formatin e ri të angazhimit politik.
Dorëheqjet janë deklaruar, në takimin e datës 24 mars 2018 në një ceremoni falënderuese, në prezencën e Këshillit Drejtues, Kryesisë së Degës dhe strukturave tjera.
Urojmë mbarësi dhe suksese për të gjithë!
Në emër të dorëheqjeve të deklaruara:
Naser Grajçevci, kryetar
Bajram Shala, nënkryetar
Nijazi Kolshi, nënkryetar