Dorëheqjet e gjykatësve serbë nuk u shqyrtuan në mbledhjen e sotme të KGjK-së

Prishtinë | 07 Nën 2022 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) pas mbledhjes së jashtëzakonshme të mbajtur të hënën, ku u diskutua për situatën aktuale në vend, pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, njofton se në këtë takim nuk janë shqyrtuar dorëheqjet e gjyqtarëve dhe të punonjësve mbështetës.

Kjo ngase, KGJK bën të ditur që paraprakisht do të ketë raport vlerësimi nga autoritetet kompetente për përgjegjësinë e të gjitha subjekteve të përfshira në aktivitetet e fundit që ndërlidhen me situatën e krijuar.

Këshilli ka kërkuar nga kryetarët e gjykatave dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së që ta vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe si autoritete kompetente në kuadër të gjykatave të tyre të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme dhe të paraqesin në Këshill propozimet e nevojshme për mirë funksionimin e punës në gjykata pa ndërprerje. Të njëjtit janë zotuar se puna në gjykata do të vazhdojë dhe njëkohësisht do të informohet Këshilli me raporte të veçanta për secilin rast.

Këshilli nuk i shqyrtoi dorëheqjet e gjyqtarëve dhe të punonjësve mbështetës në takimin e sotëm pasi që paraprakisht do të ketë raport vlerësimi nga autoritetet kompetente për përgjegjësinë e të gjitha subjekteve të përfshira në aktivitetet e fundit që ndërlidhen me situatën e krijuar.

Këshilli mbetet i përkushtuar që të koordinojë veprimet me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për garantimin e sundimit të ligjit dhe zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve të zbatueshme në Republikën e Kosovës.

Këshilli kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Policia që menjëherë të vlerësojnë situatën e sigurisë dhe të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektet në Mitrovicën Veriore, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Të ngjashme