Kryeministri i vendit, Edi Rama e ka nisur ditën me një fotoalbum nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit. Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, kryeministri Rama thotë se dita e djeshme ka qenë ajo më krenarja e Shqipërisë në historinë e marrëdhënieve të saj ndërkombëtare.
“Mirëmëngjesi, dhe me FotoALBUMIN e ditës më krenare të Shqipërisë në historinë e marrëdhënieve tona ndërkombëtare, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Rama në Facebook.
Nga selia e OKB-së në New York, kryeministri i vendit Edi Rama hapi diskutimin e nivelit të lartë mes përfaqësuesve të shteteve anëtare në Këshillin e Sigurimit.
Fjala që Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si përfaqësues i OSBE-së do të mbanin përpara 50 krerëve të shteteve në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB që drejtohet nga Shqipëria, shkaktoi që në nisje të punimeve përplasje verbale mes Kryeministrit Rama dhe ambasadorit rus në OKB, Vasily Nebenzya.
“Mbi çbazë propozoni t’i jepni presidentit Zelensky fjalën përpara anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Mbi ç’bazë ftoni ju në takim Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së? Kjo e sotmja do të jetë më shumë një spektakël. Presidenca shqiptare ka treguar shkelje flagrante. Shqipëria s’ka mundur ta mbajë një gjë të tillë sot”, tha ai.
Në përgjigje, kryeministri Rama ironizoi se ky nuk është një operacion special i Presidencës shqiptare, por praktikë e konsoliduar në Këshillin e Sigurimit.
“Që të biem dakord, ju ndaloni luftën dhe Zelensky nuk merr fjalën. Kjo vjen nga diçka që keni bërë ju. Ne besojmë se ftesa e Zelensky-t që të flasë është në përputhje me paragrafin 33. Ky s’është vendim i Presidencës shqiptare, por si praktikë e gjatë e Këshillit të Sigurimit, në përputhje të plotë me rregulloren. Po përfaqësuesi i OSBE është shqiptar, por nëse do ishit i qartë se cili është problemi më thoni.”
Vetë Zelenksy falenderoi kryeministrin Rama për mundësinë dhe i kërkoi OKB-së që të pezullojë veton ruse, përmes së cilës Presidenti ukrainas tha se Moska me dashakeqësi po synon të zbehë genocidin që po bëhet ndaj bashkëkombasve të tij prej dy vitesh.