Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se vitin e ardhshëm do të rritet numri i pjestarëve të Njësisë Speciale, raporton Ekonomia Online.
Edhe pse tha se kurohet kosto shtesë për blerjen e pajisjeve, drejtori shpreson të marrë mbështetjen për këtë kërkesë.
Qalaj në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, duke raportuar punën pas marrjes së mandatit tha se ka kërkuar auditim të brendshëm në fushën e financave, prokurimit dhe logjistikës.
“Që nga marrja e detyrës si drejtor i Policisë kam kërkuar një auditim të brendshëm në fushën e financave, prokurimit dhe logjistikës në mënyrë që ta dimë gjendjen reale dhe të i hartojmë prioritetet në polici, po ashtu implementimi i udhëzimeve në respektimin e orarit të punës dhe orari në polici është qind për qind dhe nuk kemi më dukuri të policëve në kateteri, në objekte fetare në orarin e punës etj”, tha Qalaj.
“Kemi bërë rritjen e kapaciteteve të reagimit të shpejtë, kemi rrit kapacitetet e Njësive Speciale dhe intervenuese dhe kemi konstatuar se numri aktual është i pamjaftueshëm për të kryer një operacion kur është e nevojshme dhe kemi situata të paparashikuara kjo kushton si në pajisje dhe vetura, por kjo nevojitet dhe besoj se do të i kemi deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha ai.
“Fokusi kryesor i Policisë do të vazhdojë të mbetët luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Anëtari i komisionit, deputeti i VV-së Rexhep Selimi kërkoi që të kenë bashkëpunim dhe gjatë mandatit të i përshpejtojë ligjet për Policinë që të vijnë në Kuvend.
Selimi kërkoi arsyen se pse është suspenduar një zyrtar policor në rastin kur i ka publikuar të dhënat për drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës, raporton EO.
“Kërkojmë nga ju shpjegim për suspendimin e zyrtarit të policisë kur i ka publikuar të dhënat për drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës”, tha Selimi.
“Nga aspekti medial, mediat e trajtojnë si interes medial, por ka ndodhë për shkak të qasjes të mosautorizuar në të dhënat personale dhe çdo qasje duhet të jetë personi i autorizuar dhe arsyeja pse ka hyrë në sistem, ai ka pas disa hyrje në sistem që i ka arsyetuar”.
Zyrtari policor, Afrim Karaxha, ishte raportuar se është suspenduar nga puna me dyshimin se ka zbuluar për media që Shpëtim Maxhuni, djali Shpend Maxhunit, shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, është përfshirë në një rast penal.
Por drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se nuk ka qenë kjo arsyeja e suspendimit.
“Nuk është suspenduar se ai i ka njoftuar mediat për rastin, por se ka hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin e të dhënave”.
“Ai ka hyrë disa herë në këtë sistem dhe të gjitha ato i ka arsyetuar, por nuk ka mundur ta arsyetoj edhe një hyrje 18 sekondëshe. Pasi këto informata janë shumë të klasifikuara, është konstatuar se ai i ka nxjerrë disa nga ato”.
Deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla kërkoi nga të ftuarit të flitet më shumë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, për dënimet e policëve me vendimet të gjykatave se a vazhdojnë ende të shërbejnë në PK dhe mos ofrimi i dëshmive për rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq nga ana e Policisë dhe mosofrimi i dëshmive sipas tij është shkelje ligjore.
Deputeti i Nismës Haxhi Shala tha se pyetjet që i bëri Sveçla më shumë i takojnë komisionit hetimor dhe kërkoi nga Sveçla të mos i ngatërroj komisionet.
Por Sveçla tha se pyetjet e tij kanë të bëjnë me sigurinë në vend dhe kërkon përgjigje nga të ftuarit.
Shala tha se ministri Mustafa dhe drejtori Qalaj janë të lirë të mos i përgjigjen pyetjeve të deputetit Sveçla pasi që sipas tij, nuk janë thirrur për të iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe nëse duan mund të i dërgojnë përgjigjet në një raport më pas.
Drejtori i Policisë vlerësoni se gjendje e sigurisë në në veri është e qetë dhe stabile, raporton EO.
“Situatën në veri ne e vlerësojmë të qetë dhe stabile, në realitet është me tensione gjendja është më e mirë se vitet e kaluara, kemi pas protesta për masën 100% edhe arrestime por shifrat që janë në media nuk është e vërtetë, në jemi të përgatitur për skenarë të ndryshme, kemi bërë përforcimin e pikave kufitare në veri, janë numri më i shtuar i patrullimeve”.
“Po bëjmë sigurinë e pjesëtarëve te FSK në Zubin Potok, kemi 22 shtëpi që po ruajmë, është brengosëse nëse vazhdohet kjo edhe më tej, por shpresojmë se zyrtarët e forcës do të fillojnë punën pa frikë. Nuk lejojmë që pjesa e veriut të mbetet pa policë”.
“Deputeti Petrovic e kemi trajtuar çka do që kërkon në aspektin e sigurisë duke i ofruar është pajisur me leje te armës jemi afër tij, nuk ka kërkuar diçka të veçantë por vetëm sigurinë e tij dhe familjes”.
“Komisioni hetimor do të i merrni dëshmitë që i kemi nuk ka asgjë për të u fshehur por nuk kam qenë në dijeni të kërkesës suaj. Të premten do ta dërgojmë raportin me policët e dënuar”.