Në një intervistë ekskluzive për Federatën Botërore të Xhudos (IJF) trajneri kosovar, Driton Kuka ka rrëfyer se si kishte nisur të ndërtonte suksesin që sot gëzon Kosova në në këtë sport.
Ai thotë se presidenti i IJF-së, Marius Vizer kishte dhënë një ndihmesë të madhe në xhudon kosovare.
“Filluam të garojmë në kompeticionet e IJF-së në vitin 2009, përmes dëshirës së madhe të kryetarit të IJF-së, Marius Vizer, që është një mbështetës i madh i yni”, shprehet Kuka, për të vazhduar të tregojë se si kishte braktisur sportin e xhudos si 19 vjeçar për shkak të politikës, e cila edhe sot e kësaj dite i sjell probleme Kosovës.
“Kam ndaluar të merrem me xhudo më 1991 dhe isha vetëm 19 vjeçar. Në atë kohë isha njëri nga më të mirët në ekipin kombëtar. Por, për shkaqe politike ndaluam së garuari për ekipin kombëtar të ish-Jugosllavisë. Dhe pas luftës në Kosovë, më 1999, fillova të mbledhja fëmijët në rrugë që jetonin rreth Dojos, që është pronë e familjes time, dhe e ndërtuam për shkak të dashurisë për xhudon”, shprehet Kuka.
Kuka, që ka krijuar atletë të nivelit botëror, tregon se synimi kryesor i tij në fillim ishte t’i mbante fëmijët në sport, dhe gjithçka kishte nisur me lagjen e tij.
“Synimi im kryesor në fillim ishte që t’i mbaja ata në sport, pasi fëmijët duan të dalin jashtë. Dhe ia dola përmes udhëtimeve, i dërgoja në disa gara përreth dhe ishin të lumtur të udhëtonin të njihnin fëmijët e vendeve të tjera. Dhe pas tre-katër vjetësh mendoj se i kapa, pasi isha i bindur se ata do të qëndronin në xhudo, sepse xhudo është ai lloj sporti. Më pas ata filluan të fitonin disa medalje, sigurisht se ato ishin për fëmijë por s’kishte rëndësi pasi synimi ishte që t’i mbaja ata brenda xhudos, dhe ja ku jemi sot”, thotë Kuka për IJF.
Ai nuk lë pa përmendur edhe karakterin e jashtëzakonshëm të medalistes së parë olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendit.
“Majlinda ishte një person i jashtëzakonshëm. Gjatë gjithë kohës ishte e fokusuar, e në jetë është aq e qetë dhe serioze. Dhe kur filluam të merrnim pjesë në gara e pash se ajo vërtetë ishte luftëtare, dhe ishte e tillë që kur ishte fëmijë. Dhe të punoja me të ishte shumë mirë. Të tjerët duhet t’i shtysh por në rastin e Majlindës është krejtësisht ndryshe. Mendoj se nuk është e lehtë të gjeni persona si Majlinda”, ka thënë Kuka.
E përveç Majlinda Kelmendit, Kuka thotë se sportistë të nivelit botëror janë edhe Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Akil Gjakova, të cilët janë kandidatë për medalje olimpike.
“Nora Gjakova është atlete në kategorinë 57 kilogramë , e cila kishte nisur të stërvitej në të njëjtën kohë me Majlindën, dhe në këtë kategori tani është një nga atletet më të mira. Kurse Distria Krasniqi tani garon në 48 kilogramë. Në dy garat e fundit ishte në një formë të lartë dhe mendoj se ajo mund të jetë një nga kandidatët për medalje olimpike. Akil Gjakova e ka nisur shumë mirë vitin 2018 me medalje të artë në Grand Slamin e Parisit që është një nga garat më të mira. Tani kam katër atletë që janë në një nivel vërtetë të lartë. Ata janë të motivuar ta bëjnë krenarë veten e tyre, familjet, mua si trajner, komunitetin e xhudos dhe gjithë vendin. Me këtë motivim dhe përmes punës si familje kemi diçka speciale”, thotë Kuka.
E Kuka synon që të ketë bazë edhe më të madhe të sportistëve, derisa shpreh bindjen se Kosova do të jetë në hartën e vendeve elitare të xhudos.
“Tani shpresoj që Qeveria të fillojë ndërtimin e një qendre kombëtare. Do të doja të mbledhja fëmijët nga qytetet e tjera dhe të bëjmë një bazë më të gjerë që të kemi 20 apo 30 atletë të mirë. Mendoj se Kosova do të jetë e fortë në hartën e vendeve elitare të xhudos”, thotë ai.