Njerëzit e vetmuar dhe të zhgënjyer në mërgim, krijojnë iluzionin se po vetëpërmbushen kur vijnë në pushime në atdhe. Si duket edhe kur votojnë, e kanë atë ndjenjë. (Në zgjedhjet e fundit u krijua kjo bindje)
Në fakt, ata nuk përmbushen as kur pushojnë, as kur votojnë, sepse ata janë në konflikt me statusin e vet të dyzuar.
Ndonëse ata kujtojnë se dikush nuk ua ka dhënë shansin e duhur në atdhe, e vërteta është se ata vetë e kanë humbur shansin në atdhe, duke u larguar nga atdheu. Nuk mund të jesh fitues në një garë, nëse nuk merr pjesë direkt në të, pavarësisht arsyeve që mund të kesh.
Të vetmuar e të zhgënjyer nëpër qytetet e ndryshme të Evropës e SHBA-së, mërgimtarët e imagjinojnë rëndësinë e vet në atdheun e origjinës. Por në atdhe ata kanë vetëm rëndësi simbolike. Në sferën publike nuk janë konkurrues.
Në sferën familjare janë objekt shprese/ndihmese, në jo pak raste, objekt zhvatjeje a eksploatimi.
Me të kryer të pushimeve ose të zgjedhjeve, ata sërish i kthehen vetmisë dhe zhgënjimit kronik. Të huaj në mërgim, të huaj të atdhe. Unë gjithnjë kam respekt e mall për mërgimtarët.
Sivjet më kanë munguar shumë në shëtitoren e kryeqytetit, ku viteve të shkuara dilja veç të sodisja gjallërinë dhe gëzimin e tyre, gati fëmijëror.
Sidoqoftë, unë i përmbahem qëndrimit se e vetmja zgjidhje që shëron dhe rehabiliton mërgimtarët dhe i eliminon të gjitha keqkuptimet, është kthimi në atdhe. Pikë.
P.S. Këtë shënim e bëra vetëm pasi që tashmë janë kryer zgjedhjet.
Pse? Sepse problemi i tyre është më i madh se sa zgjedhjet. Në fakt, ky problem është një hemoragji kombëtare. Nëse qeveria e re nuk u krijon kushte që të kthehen, atëherë do të dalë që e kanë pasur me hile të dyja palët. Por, na mbetet të presim se si do të bashkëveprojnë.
Kthimi i tyre, do të mund të shndërrohej nga hemorargjia në transfuzion. Por, për këtë synim, duhet punë serioze dhe e përbashkët.