Dy fjalë për dosjet, Kadarenë dhe “hakmarrjen” e Kakusë

Prishtinë | 03 Gus 2017 | 19:15 | Nga Astrit Patozi

Ismail Kadarenë nuk e kam takuar kurrë, por me mjafton vepra e tij për ta konsideruar se e njoh mjaftueshëm. Ndërsa me motrën e tij, Kadrien (Kakunë), kam kujtime te pashlyeshme, kur punonim bashkë, një herë e një kohë, tek gazeta “Albania”.

Megjithëse një grua e superkulturuar dhe me shumë personalitet, Kakuja e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj e trajtuar si motra e Ismailit. Dhe kjo nuk është ndonjë çudi, sepse ky është fati, kudo në botë, i të gjithë atyre, që rriten apo gjenden nën hijen e të famshmëve.

Por ka disa ditë, që për herë të parë ndoshta, po “shijojmë” inversin e kësaj ligjësie universale. As më shumë e as më pak, por Ismail Kadareja po trajtohet sot si vëllai i Kakusë. Dhe e gjitha ngjan si “hakmarrje” pa dashje e motrës për të vëllain, pas kaq vitesh “persekutimi”.

Arsyeja është një letër e shkrimtarit të madh në adresë të diktatorit Hoxha, këtu e 37 vjet të shkuara, me subjekt pikërisht motrën e tij. E cila askokohe rrezikonte seriozisht burgun, për shkak se fliste pa pushim kundër regjimit në përgjithësi, por ç’ishte më e keqja, kundër Enverit në veçanti.

Unë nuk dua të merrem me debatin e ndezur, që ka shpërthyer në Shqipëri, nëse bëri mirë apo bëri keq Ismail Kadareja që e dërgoi letrën, aq më tepër kur ai vetë e ka sqaruar në mënyrë të qartë, si qëllimin ashtu edhe rrethanat e shkrimit të saj.

Por më bën përshtypje një gjë në këtë histori. Si ka mundësi të ketë ende njerëz në Shqipëri që të gjejnë më shumë faj tek një letër e pafajshme e shkrimtarit, se sa tek ata që bënë krimet më monstruoze në të gjithë ish-Lindjen komuniste?

Shumë prej kasapëve të diktaturës janë ende gjallë dhe jo pak syresh punojnë në institucione të larta të shtetit, madje japin edhe drejtësi, moral, po se po, dhe pak ose aspak flitet për ta. Janë me qindra ata që, jo vetëm kanë dhënë vendime të përbindshme, por edhe kanë marrë pjesë aktive në torturimin çnjerëzor të “armiqve të klasës”, që sot, jo vetëm kanë funksione të nderuara, por na japin edhe leksione demokracie.

Para rreth një viti parlamenti miratoi ligjin për hapjen e dosjeve, i cili natyrisht që nuk kishte për qëllim ta zgjidhte raportin e shoqërisë dhe të shtetit shqiptar me të shkuarën komuniste, por thjesht të bënte sikur. Sepse nuk mund të pritej që këtë ta bënte e majta e Edi Ramës.

I qartë për mangësitë e tij, por sidomos për qëllimin e mbrapshtë nga u nisën për ta miratuar, kam thënë atëherë se edhe atij ligji të keq mund t’i merret diçka e dobishme për vendin. Dhe sot, duke ndjekur me trishtim debatin e stisur të letrës së Kadaresë për të shfajësuar Kakunë në vitin 1980, jam shumëfish i bindur për këtë. Të paktën disa institucione mund t’i kishim pastruar nga fosilet e Sigurimit të Shtetit, operativë apo bashkëpunëtorë qofshin ata. Duke nisur nga parlamenti, dhe duke vazhduar pastaj me të tjerat.

Disa muaj më parë i kërkova publikisht kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, që t’i drejtohej Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit për të hapur dosjet e të gjithë deputetëve, por nuk pati asnjë reagim. Ka ende kohë për ta bërë këtë dhe nuk kemi pse presim shtatorin, kur të mblidhet parlamenti i ri. Kjo shoqëri, që ka hequr shumë nga e kaluara, nuk mund të mbajë në kurriz deputetë, ministra, gjykatës dhe nëpunës të tjerë të lartë, madje as analistë dhe gazetarë, që janë të implikuar në dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Është e pakapërdishme që ne i kushtojmë kaq shumë energji dhe kohë një letre të Ismail Kafaresë pa pasoja (sepse as Kakuja dhe as ai vetë nuk u arrestuan), ndërkohë që kemi gati para syve me miliona dokumente gjëmash, të cilat kanë çuar mijëra njerëz në litar, në pushkatim, burgje dhe internime.

Lexova diku një lajm ku citohej Auroriteti për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit të thonte se deri tani janë çuar njoftime për rreth 600 zyrtarë, të cilët kanë rezultuar me probleme të pastërtisë së figurës. Nuk dua të dyshoj në përkushtimin dhe përgjegjshmërinë e kryetares Genta Sula, për të cilën kam respekt, por druaj shumë se gjetjet e Autoritetit, edhe nëse ai punon me kapacitet të plotë, do të merren seriozisht dhe nuk do të përdoren në mënyrë selektive nga kjo qeveri.

Dhe për sa kohë nuk do të ketë vullnet të fortë politik për t’u ndarë realisht me të shkuarën, mos u çudisni kur të na serviren herë pas here letra si ajo e Ismailit, që i drejtohej Enverit për Kakunë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme