Te Sigal Prishtina janë të vendosur që edicionin 2019/20 në basketbollin e Kosovës ta nisin me trofe, sidomos pas eliminimit në Ligën e Kampionëve ku ishin shumë afër të bënin histori.
Prishtina javën e shkuar u eliminua në raundin e parë të Ligës së Kampionëve nga Legia e Varshavës, kurse të martën (sot, 20:30) do të luajë ndeshjen e Superkupës së Kosovës kundër Rahovecit.
Ndeshja do të luhet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Prishtina është kampione në fuqi, derisa Rahoveci nënkampion. Edicionin e shkuar, Prishtina pati triumfuar ndaj Rahovecit si në finalen e Kupës së Kosovës ashtu edhe në serinë finale të plejofit. Në krye të Prishtinës është trajneri Bujar Loci, i cili edicionin e shkuar udhëhoqi Rahovecin drejt dy finaleve.
Loci është optimist se Prishtina do të rrëmbejë të martën (sot) mbrëma trofeun e parë të edicionit, edhe pse thotë se Rahoveci ka formuar ekip të mirë dhe nuk do të jetë lehtë.