Dyfishohet numri i viktimave, mbi 800 shtëpi e banesa të dëmtuara nga tërmeti

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 08:22 | Nga Ekonomia Online

Tërmeti me magnitudë 6.4 shkallë të Rihterit, që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës, ka çuar në mbi 40 numrin e viktimave, ndërsa 750 persona janë duke u trajtuar në spitalet e Tiranës dhe të Durrësit. Shteti shqiptar që nga e dita e martë po ndihmohet nga Kosova e nga shtete të tjera me mjete financiare e me ekipe emergjente.

Vetëm gjatë ditës së djeshme janë mbledhur rreth 3 milionë euro, që do të përdoren për riparimin e zonave të prekura nga tërmeti, shruan sot gazeta “Zëri”.

Tërmeti që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës ka çuar në mbi 40 numrin e viktimave, ndërsa 750 është numri i të lënduarve, që po marrin trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe në atë të Durrësit. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë ende kërkimet, pasi nuk dihet saktë se edhe sa persona gjenden nën rrënoja. Ndërkohë shtetit shqiptar që nga e marta i kanë dalë në ndihmë Kosova e shumë shtete të tjera, të cilat kanë dërguar ekipet e tyre emergjente. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë mbledhur rreth 3 milionë euro për të prekurit nga ky tërmet. Institucionet e Shqipërisë kanë bërë të ditur se me këto mjete do të bëhet riparimi i zonave të prekura nga tërmeti me magnitudë 6.4, që përveç viktimave la të shkatërruara mbi 800 shtëpi e banesa në Tiranë e në Durrës. Ndërkohë, edhe një tërmet tjetër me magnitudë më të ulët (3.9 shkallë të Rihterit) goditi sërish shtetin shqiptar. E gjatë ditës së djeshme Kosova ka dërguar edhe një ekip të ekspertëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët pritet të bëjnë vlerësimin e objekteve të dëmtuara.

Mbi 40 të vdekur, 750 të lënduar

Ka shkuar në mbi 40 numri i të vdekurve nga tërmeti me magnitudë 6.4 ballë, që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës. Ndonëse ekipet e kërkim-shpëtimit janë ende duke kërkuar nën rrënoja, deri mbrëmë vonë numri i viktimave shënoi 43, ndërsa të lënduar sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë janë 750 persona, nga të cilët 660 vetëm në Spitalin e Traumës dhe të Durrësit. Sipas Ministrisë, aktualisht janë shtruar 65 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, ndërsa gjendja e 3 personave është më e rënduar.

Përpos qytetarëve, që po marrin trajtim në spitale, janë 572 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti, që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura, ndërsa 145 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampeve të emergjencës në Tiranë dhe në Durrës.

Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar. Kështu ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë.

FSK-ja niset për në Shqipëri, pritet vlerësimi i objekteve të dëmtuara

Edhe gjatë ditës së djeshme lëkundjet e forta të tërmetit kanë vijuar, duke shkaktuar frikë te banorët, ndërsa ekziston rreziku i shembjes së ndërtesave, që janë dëmtuar nga goditja me magnidutë 6.4 të shkallës Rihter dy ditë më parë. Goditja e fundit ka qenë me magnidutë 3.9 të shkallës Rihter, ndërsa epiqendra është zhvendosur më në veri, pranë Lagunës së Patokut.

E ndihma e Republikës së Kosovës e drejtuar për Shqipërinë ka vazhduar edhe ditën e djeshme. Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur për në Shqipëri një grup të ekspertëve për t’i vlerësuar objektet e dëmtuara nga tërmeti.

Përmes një komunikate bëhet e ditur se dërgimi i grupit të ekspertëve është bërë me kërkesë të Qeverisë shqiptare dhe me vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. “Me kërkesë të Qeverisë shqiptare dhe me vendim të presidentit të Republikës së Kosovës, zotit Hashim Thaçi, me urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramës, sot është nisur një grup i ekspertëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për vlerësimin e shkallës së dëmtimit të banesave dhe të objekteve tjera nga dëmtimet e tërmeteve, që kanë goditur Shqipërinë këto ditë”, thekson komunikata.

Ndërkaq bëhet e ditur se ky kontingjent është vazhdimësi e misionit të njësive të specializuara të Gardës Kombëtare të FSK-së, që u janë bashkuar operacioneve të kërkim-shpëtimit që nga momentet e para pas goditjeve të tërmetit shkatërrues në Shqipëri.

Mbi 800 shtëpi e banesa të dëmtuara

Një pjesë e madhe e banesave dhe e shtëpive në Tiranë e në Durrës janë të dëmtuara pas tërmetit, përkatësisht 202 banesa mbetën të pabanueshme dhe 606 shtëpi private të dëmtuara në Tiranë dhe në fshatrat përreth. Ndërkohë tërmeti i 26 nëntorit ka prekur edhe Kavajën, ku si pasojë janë plagosur 12 persona, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Kryetari i Kavajës, Redjan Krali, i cili u deklarua gjatë ditës së djeshme, ka thënë se në total janë 20 shtëpi që janë shembur, ndërsa 6 banesa janë dëmtuar. “Dëme materiale kemi goxha, janë 6 pallate të dëmtuara dhe 20 shtëpi private të shembura. Një pjesë nga pallatet janë dëmtuar edhe nga tërmeti i parë”, ka thënë ai. Ndërkohë u raportua se janë marrë masa edhe për akomodimin e të prekurve nga tërmeti.

Mblidhen edhe rreth 3 milionë euro për Shqipërinë

Rreth 3 milionë euro janë mbledhur vetëm gjatë ditës së djeshme për t’i shkuar në ndihmë shtetit shqiptar, pas tragjedisë që përjetoi në mëngjesin e së martës.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë ditës së djeshme ka ndarë 1 milion euro për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Ai ka thënë se ishte i tronditur kur pa dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë, që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Ai ka bërë të ditur se me paratë e dhuruara do të rindërtohen zonat e prekura nga tërmeti. “Kemi vendosur së bashku me familjen time që të dhurojmë 1 milion euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt”, ka thënë Pacolli.

Pas tërmetit të rëndë në Shqipëri edhe qeveria austriake ka ndarë 600 mijë euro ndihmë. Me fondin e Agjencisë Austriake për Zhvillim do të bëhet e mundur rindërtimi i shtëpive të shkatërruara dhe strehimi i familjeve nga ditët e ftohta dimërore që do të vijnë. Kështu ka njoftuar Ministria e Jashtme e Austrisë. “Austria dhe Shqipëria kanë miqësi bashkëpunimi me dekada”, ka thënë kancelarja austriake Brigitte Bierlein në një deklaratë gjatë ditës së djeshme.

Ndërsa Papa Françesku ka dhuruar 100 mijë euro për Shqipërinë pas tërmetit të fortë që goditi bregdetin verior në zonën e qytetit të Durrësit.

Ndërkohë, edhe Bordi i Drejtorëve i Shoqatës së Bankave të Kosovës dje ka marrë vendim të ndajë 37 mijë euro si ndihmë për të prekurit nga fatkeqësia natyrore, që goditi Shqipërinë. Duke u solidarizuar me viktimat dhe me të mbijetuarit e kësaj fatkeqësie, Shoqata e Bankave të Kosovës në emër të komunitetit bankar në Kosovë u ka shprehur ngushëllime familjarëve, të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre, ndërkaq apelon që të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë në mënyra të ndryshme për të tejkaluar këtë situatë tragjike. “Në këto kohë të vështira për kombin shqiptar të gjithë duhet të bëhemi bashkë për t’i dhënë kontributet tona, në mënyrë që edhe kjo vështirësi të kalohet në unitet dhe në solidaritet”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndërkaq presidenti i kompanisë “Kastrati” Shefqet Kastrati dhe familja e tij kanë dhuruar 1.5 milion euro. Ai u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi t’u dalin në ndihmë këtyre familjeve, që mbetën të shkatërruara nga ky tërmet. “Unë dhe familja ime kemi ndarë 1.5 milion euro që kjo dhimbje e madhe të lehtësohet sado pak. Vendosëm ta bëjmë publik kontributin tonë për familjet e tërmetit vetëm që t’u bëjmë thirrje atyre të cilët kanë më shumë se të tjerët: Kjo s’është dita të kursejë asgjë shqiptari që ka shumë për shqiptarin që ka humbur gjithçka”, ka thënë Kastrati.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme