Lehtësimi i masave kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit bashkë me motin e mirë ka bërë që lumi i njerëzve, duke ecur e padaluar, t’ia mësyjë shtegut që çon prej lagjes “Marash” kah bregu i Lumbardhit, deri në Kalanë e Prizrenit.
Pasditen e së martës në këtë shteg kanë dalë edhe shtetasit britanikë, që prej shtatë javësh janë të ngujuar në qytetin e vjetër. Rosie Watson dhe Mike Elm janë bërë tok me kryetarin Mytaher Haskuka. Me mbledhjen e mbeturinave përgjatë këtij shtegu, mysafirët britanikë dhe nikoqiri kanë përçuar porosinë tek qytetarët vendorë që krahas relaksimit në bukuritë natyrore të përkujdesen edhe për pastërtinë e mjedisit.
Mike Elm ka theksuar se vitin e shkuar me biçikletë i është bashkëngjitur vrapimit të Rosie Watson deri në Mongoli, me ç’rast gjatë këtij udhëtimi tregohen storiet pozitive për veprimet klimatike dhe punën pozitive mjedisore të njerëzve dhe komuniteteve të ndryshme, shkruan KOHA.
“Kam ardhur në Prizren veçanërisht për të parë se si kryetari dhe qytetarët po angazhohen për një qytet më të gjelbër dhe si e luftojnë ndotjen e ajrit dhe ndotjet e tjera nga aktivitetet që zhvillohen sot, pra përpjekjet për një të ardhme më të gjelbër për Prizrenin”, ka thënë Elm. Ai ka pohuar se është i nderuar që bashkë me kryetarin mund ta realizojnë një aktivitet pozitiv, ndërkohë që “Prizreni shikon nga ardhmëria”.
Ndërsa kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka theksuar se me çiftin britanik është takuar 3 javë më parë pas raportimeve në media për ngujimin e tyre disa javë në Prizren, si pasojë e pandemisë COVID-19.
“Atëherë u patëm pajtuar që bashkë të dalim e të bëjmë pastrimin e ambientit”, ka thënë Haskuka. Sipas tij, lehtësimi gradual i masave kufizuese, sikurse edhe dyfishimi i orarit të lëvizjes, ka mundësuar realizimin e këtij aktiviteti për pastrimin e mbeturinave të hedhura në shtegun e ecjes skaj Lumbardhit.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është me i tregu bukuritë e Prizrenit, por në të njëjtën kohë edhe me apelu tek qytetarët që ta mbrojmë natyrën”, ka thënë Haskuka.
Ai ka treguar se mysafirët britanikë kanë dalë për shëtitje nëpër shtigjet prapa Kalasë së Prizrenit deri në Pasha Çezme.