Edhe një Doktor Shkence i shtohet Kosovës, Ajeti vlerësohet me titullin “Student i Dalluar”

Prishtinë | 09 Gus 2019 | 17:18 | Nga Ekonomia Online

Faruk Ajeti ka mbrojtur temën doktoratës “Politika Austriake në Kosovë 1986-1999” në Institutin e Shkencave Politike të Universitetit të Vjenës, për të cilën është vlerësuar nga komisioni i profesorëve me titullin më të lartë studentor “Summa Cum Laude” (Student i Dalluar).


Ajeti gjatë punës së tij kërkimore disa vjeçare ka realizuar një numër të madh të intervistave me politikanët dhe diplomatët kryesorë austriakë që janë marrë aktivisht me çështjen e Kosovës që nga vitet 1990-ta.

Pjesë e hulumtimit të tij janë edhe materialet e shumta arkivore të panjohura deri më tani për publikun, të cilat paraqesin angazhimin austriak në Kosovë, si dhe për mbështetjen që politika e jashtme austriake ka dhënë ndaj Kosovës nëpër periudha të ndryshme, si ajo ndaj rezistencës paqësore, sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës, pranimin e studentëve kosovarë nëpër universitetet austriake, kontaktet e para të diplomatëve austriakë me UÇK-në dhe një numër të madh të proceseve të pazbuluara deri më tani.


Faruk Ajeti është aktualisht Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri dhe është fitues i bursës së post doktoratës nga Austrian Marshall Plan Foundation për një vit akademik 2019/20 në një nga universitetet më prestigjioze në botë, Johns Hopkins University, Paul H. Nitze School of Advanced International Studies (SAIS), në Washington.
Presim që hulumtimi i tij t’i ofrohet edhe publikut shqipfolës, botim i cili do t’i pasuronte bibliotekat tona.

Të ngjashme