Me 98 vota për është miratuar në parim Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ky projektligj është pjesë e pakos së tri projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha ka paraqitur projektligjin e dytë për transformimin e FSK-së në ushtri atë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, raporton EkonomiaOnline.
Ndërsa Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Haxhi Shala, tha se projektligji plotëson kushtet andaj edhe i rekomandohet Kuvendit që ta miratojë atë.
LEXO Edhe: Me 101 vota, miratohet Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes
Ismet Beqiri nga LDK-ja pret që shumë shpejt që të ndërrohet edhe emri në Forca të Armatosura të Kosovës.
“Ne si LDK me prezencën tonë dëshmojmë edhe njëherë se LDK ka qenë përkrahëse e vazhdueshme e këtij procesi. Ne e mbështesim dhe do ta votojmë Projektligjin për FSK-në, e shpresojmë që shumë shpejt edhe me emrin Forcat e Armatosura të Kosovës,” tha Beqiri.
Edhe PDK-ja i dha mbështetje këtij projektligji.
“PDK përkrah projektligjin për FSK dhe do ta votojmë pro,” tha deputeti Fatmir Xhelili në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së.
Rexhep Selimi, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se mbështetja e Vetëvendosjes nuk është “qorre”.
“Le të jemi të kjartë nuk duhet të vihet gishti në asnjë prej partive që ka humbur a ka fituar shanset. Ne mbështesim edhe njëherë në parim por kemi çfarë të punojmë në mes dy leximeve. Mos e mendoni mbështetjen tonë si një mbështetje qorre. Ne kemi analizuar me kujdes të gjithë projektligjin që ka ardhë nga qeveria dhe kemi qenë të fokusuar në disa nene të caktuara, gjatë dy leximeve do të japim kontributin tonë,” tha Selimi.
Aida Dërguti, nga PSD-ja tha se e përkrahin në parim projektligjin, raporton EO.
LEXO Edhe: Votohet Projektligji për shërbim në FSK, deputetët i thonë po Ushtrisë
” PSD e përkrahë në parim këtë projektligj dhe në mes dy leximeve do të japim kontributin tonë,” dejklaroi Dërguti.
Blerim Kuçit nga AAK-ja i ka bërë përshtypje modestia e kryeministrit Haradinaj.
“Ne do ta përkrahim këtë projektligj, por na ka bërë përshtypje modestia e kryeministrit për këto projektligje dhe do ta vazhdojmë atë modesti,” tha Kuçi.
Zafir Berisha, nga NISMA Socialdemokrate po ashtu i dha mbështetje projektligjit.
“Jam i bindur që këta djem e vajza oficerë e ushtarë do të vazhdojnë partneritetin me NATO-n dhe t’i shërbejnë qytetarëve”.
Albert Kinolli, nga grupi 6+ kërkoi që t’i jepet hapësirë më e madhe komuniteteve.
“Ne do të japim kontributin në mes dy leximeve. Kërkoj që pjesëtarëve të komuniteteve të ju jepet një hapësirë më të madhe. Mendoj që ka nevojë për ulje të kritereve kur vjen të komunitetet pakicë dhe për një diskriminim pozitiv,” tha Kinolli.
Albin Kurti, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se është me rëndës që të kemi bashkëpunim me Shqipërinë.
“Është e rëndësishme që të kemi forcat tona të armatosura që na mbrojnë si shtet. Janë dy faktorë përkufizues për ndërtimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.”
“Aspekti diferencial konsiston në atë që të dimë raportin e forcave tona me forcat e fqinjëve e posaçërisht me fqinjin tonë verior, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Shpresoj që dikush nga qeveria e ka shikuar se çfarë ushtrie ka Serbia. Forcat e Armatosura janë kapaciteti ynë mbrojtës ndaj kujt mund të na mbrojnë ato sigurisht nga Serbia.”
“Kosova ka territor e kufi të caktuar. Forcat e Armatosura të shtetit tonë duhet të ju referohen këtyre sërish shifrat 5 mijë e 3 mijë nuk thonë asgjë vetvetiu. Duhet shqyrtuar të gjitha mundësitë për të qenë komplementar, përplotësues me Shqipërinë që të kursejmë duke mos u dyfishuar pa nevojë.”
“Nuk është serioze një qasje që parasheh një periudhë 10 vjeçare. Meqenëse Forcat nuk do të jenë tamam ushtri, as forcë e armatosur, është me rëndësi që të kemi bashkëpunim me Shqipërinë.”
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga qeveria që të dal e të sqarojë dyshimet që kanë lindur pas lajmeve se nëse formohet ushtria e Kosovës, NATO do të shqyrtojë veprimtarinë në Kosovë.
Ai me ironi pyeti ministrin, Rrustem Berisha, nëse kanë menduar që të sigurojnë një nëndetëse për presidentin.
“Është kriju një huti e panevojshme e cila prej qeverisë duhet të sqarohet më mirë. Është kriju mendimi që kjo është ose shantazh prej NATOS ose konflikti mes NATOS dhe qeverisë e kjo nuk është e vërtetë. Këtu ka një koordinim dhe për NATO-n, është plotësisht e arsyeshme që kur të shtohen forcat e FSK-së është krejtësisht normale që të fillojë një proces i bashkëpunimit me ata që NATO-ja mund ta reduktojë numrin e trupave por edhe nëse nuk e redukton do të ketë bashkëpunim të plotë me Kosovën,” është shprehur Konjufca.
“Deklaratat e tilla po krijojnë një përshtypjen e pa nevojë e po krijon pasiguri thuajse që na kemi ndonjë mospajtimi me NATO-n.”
“A do të merrni ndonjë nëndetëse se Presidenti po del me do jahta të pasigurta, a e keni mendu edhe naj nëndetëse për Presidentin tonë.”