Edhe Vuciq përfshihet në rastin e helmimeve në Deçan, thotë se po i analizojnë disa pamje

Prishtinë | 15 Kor 2021 | 13:10 | Nga Ekonomia Online


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është përfshirë gjithashtu në diskutimin e hipotezave lidhur me helmimin e mbi 1500 qytetarëve të Deçan.

Ai ka thënë se e kanë analizuar praninë e dy serbëve diku rreth burimit të ujit në Deçan, i cili u dyshua të jetë shkaku i helmimeve, transmeton Gazeta Express.

“Ne kemi një analizë të lëvizjes së automjetit me targa Novi Sadit, ata nuk ishin as 500 metra nga burimi i ujit. Ne po presim të shohim se çfarë do të thonë. Ne po presim, po dëgjojmë”, tha Vuçiq, duke u përgjigjur pyetjet e gazetarëve, raporton B92.

Mbi 1.500 banorë të fshatrave të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore, duke shfaqur simptoma të helmimit.

Uji i pijes ishte dyshimi i parë për helmimin e tyre, por analizat fillestare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) nxorën se uji nuk është burimi i helmimit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha dje se disa mostra të ujit do të dërgohen jashtë vendit për analiza më të thella.

Të ngjashme