Edi Rama e pranon ftesën e kryeministrit Kurti: Do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën

Prishtinë | 17 Sht 2021 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së homologut Albin Kurti për të vizituar Kosovën, si kryetar i qeverisë së Shqipërisë në mandatin e tretë.

Përmes një postimi në “Tëitter”, Rama ka shkruar se do ta vizitojë me kënaqësi Kosovën.

Këtë vizitë ai e paralajmëroi pas kthimin nga Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Faleminderit  @albinkurti ! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj me gjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona”, ka shkruar ai.

Në ndërkohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urim kryeministrit Edi Rama, me rastin e zgjedhjes për herë të tretë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, njofton ZKM raporton Gazeta Express.

Kryeministri Kurti ka theksuar se ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit.

Ai ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe integrimin e tregut, duke hequr barrierat mes shqiptarëve.

Kryeministri Kurti i uroi suksese gjatë mandatit qeverisës dhe e ftoi Kryeministrin Rama të vizitojë Kosovën për të diskutuar rreth përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive.

Të ngjashme