Më tepër se një muaj pas miratimit të Ligjit për Prishtinën, ndikimi i tij në funksionimin e kryeqytetit nuk vërehet.
Partitë opozitare kanë shprehur skepticizmin e tyre, nëse ky ligj do të mundë t`i zgjidhë problemet me të cilat përballet Komuna, shkruan sot “Koha Ditore”.
Halim Halimi, këshilltar i Kuvendit Komunal nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se ende nuk janë vërejtur efektet që nga miratimi i këtij ligji.
Sipas Halimit, me miratimin e këtij ligji Komuna përfiton në aspektin financiar dhe kjo është në të mirë të zhvillimit të infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë.
Kolegu i tij nga PDK-ja, Lirak Çelaj, ka thënë se ky Ligj nuk mund t`i zgjidhë problemet me të cilat përballet Prishtina.
“Shumë njerëz Prishtinën e kanë përdorur si rrugë për qëllime personale e jo për zgjidhje të problemeve”, është shprehur Çelaj.
Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive e INPO-s, ka thënë se ashtu siç është zvarritur miratimi i Ligjit, njësoj po ndodh edhe me zbatimin e tij.
Efektet e zbatimit të këtij ligji priten më vonë, ka thënë shkurt Adonis Tahiri, zëdhënës i Komunës së Prishtinës.
Ligji për Prishtinën ka 10 nene. Pikat kryesore kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale janë: kufijtë komunalë, granti qeveritar, menaxhimi me objektet dhe terrenet sportive dhe zona metropolitane të Prishtinës. Prishtina, sipas këtij projektligji, do të ketë spital dhe njësi policore që do të jenë në shërbim vetëm të qytetarëve të Prishtinës.