Abrashi: Ulja ekonomike deri në 12% mund të jetë fatale

Prishtinë | 30 Maj 2020 | 08:08 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dëmet e shkaktuar nga Coronavirusi, ka bërë që rënia ekonomike të shkojë deri në 12 për qind, shifër kjo që sipas deputetit të AAK-së, Gazmend Abrashit, mund të jetë fatale nëse nuk ndërmerren masa.

Në një intervistë për Ekonomia Online, deputeti i AAK-së, thotë se në bazë të të dhënave të Bankës Botërore ulja prej 12 për qind për një buxhet siç e ka Kosova është problem shumë i madh.

“Informatën që e ka dhënë Banka Botërore është shumë pesimiste, ne presim rënie ekonomike deri në 12 për qind, i cili në shikim të parë kur shihet kjo përqindje nuk është shumë i madh atë sesi ka qenë. Në tre muajt e parë kemi qenë të bllokuar, por kjo 12 përqindje për një buxhet relativisht të varfër çfarë e kemi pasur është një problem shumë i madh, i cili nëse nuk i paraprihet me masa të reja ekonomike, mundet me qenë edhe katastrofal”, tha ai.

Problem tjetër sipas Abrashit është rënia e remitencave, e që thotë se ekonomia e Kosovës kishte benefite të mëdha. Madje Abrashi thotë se nga remitencat përfitoj edhe sektori i patundshmërisë.

“Problemi më i madh, të cilën unë e parashoh është që Kosova ka pasur tradicionalisht të hyra serioze prej remitencave, të cilët fatkeqësisht edhe ata janë të prekur nga pandemia. Prej remitencave, ekonomia e Kosovës ka pasur benefite të mëdha, sidomos ndërtimtaria ka qenë dega kryesore i ka dhënë një revolucion të madh. Pra shumica e ndërtesave afro 70 për qind plasohet te njerëzit që punojnë jashtë shtetit”, tha ai.

Teksa ka folur për masat emergjente që ka ndërmarrë Qeveria në detyrë, afaristi i njohur kosovar thotë se as 50 për qind e tyre nuk iu gëzuan këtyre mjeteve.

“Masa emergjente që e ka proklamuar Qeveria, fatkeqësisht nuk është realizuar ashtu siç është premtuar. Premtimi ka qenë që do të jepen në ekonomi afro 170 milionë euro, 50 për qind të kësaj mase është ekzekutuar, pjesa tjetër është politizuar e që sot e kësaj dite ata që kanë dhënë premtime nuk e kanë mbajtur premtimin”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, tha se masat e mara nga Qeveria në detyrë pas pandemisë së Coronavirusit nuk janë të mjaftueshme dhe se zbatimi i tyre po shkon shumë ngadalë, raporton EO.

Abrashi se AAK-ja ka propozuar që secilit qytetarë t’i ndahen nga 100 euro, ku sipas tij, do të jetë një mbështetje për tejkalimin e pandemisë.

“Ne kemi dalë me një ide para një muaji, sidomos unë e kam proklamuar me pompozitet këtë ide, duke marrë parasysh që emergjencë nënkupton diçka që duhet të ndodh urgjent. Një kohë të gjatë, Qeveria në largim i ka detyruar punëtorët e sektorit civil të qëndrojnë në shtëpi dhe ua ka paguar pagat, ndërsa sektori privat e ka privua me u marr me aktivitete ekonomike”.

“Gjatë tërë kësaj kohe askush nuk është marrë me masa emergjente. Nëse dikën e ke detyruar të qëndrojë në shtëpi. Ne e kemi dhënë propozimin në të cilën secili qytetarë t’iu dhurojmë nga 100 euro, e cila kur është analizuar në tërësi, ka qenë 500 euro për familje dhe e cila në një mënyrë e obligon qytetarin të qëndrojë në shtëpi por në të njëjtën kohë ia siguron një ekzistencë minimale”, tha ai.

Abrashi ka thënë se Kosova e ka një disiplinë të madhe financiare, krahasuar me shtetet e Ballkanit perëndimorë, raporton EO.

Sipas tij, të gjitha shtetet në Evropë, nuk e kanë borxhin publik më të vogël se 50 për qind, andaj sipas tij këto mjete mund të sigurohen nga rritja e borxhit publik.

Të ngjashme