Coronavirusi shtynë publikimin e vendimit të AKK-së për çmimin e derivateve të naftës

Prishtinë | 28 Mar 2020 | 07:42 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përhapja e pandemisë Coronavirus në Kosovë, ka shtyrë publikimin e vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), ndaj ndërmarrjeve të naftës, në lidhje me dyshimet rreth ngritjes së çmimeve, raporton Ekonomia Online.

Valon Prestreshi, kryetar i këtij institucioni, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se seancat dëgjimore kanë përfunduar dhe se vetëm do të pritet vendimi përfundimtar i AKK-së.

“Çështja e derivateve të naftës ka përfunduar me punën e seancave dëgjimore. Tani pritet vendimi përfundimtar i AKK-së. Nga seanca dëgjimore deri në 3 muaj i kemi afat me dhënë vendimin përfundimtar”.

“Tash situata e krijuar me Coronavirus pak e ka shtyrë këtë mundësi por edhe kemi kohë se nuk ka asnjë muaj që ka përfunduar seanca dëgjimore dhe ne momentin që të stabilizohet gjendja pak, ne do ta japim vendimin përfundimtar për naftën”, ka thënë ai.

Prestreshi ka thënë se krahas këtyre hetimeve, janë kryer edhe për çmimet e çimentos.

“Ndërsa te çështjet tjera jemi duke hetuar edhe çmimin e çimentos që ka ndodhur më herët, ku kemi marrë ankesa edhe nga Oda e Afarizmit të Kosovës që ka pasur një ngritje të çmimeve të çimentos vitin e kaluar për një përqindje të caktuar dhe jemi duke e shqyrtuar këtë dhe jemi në hetim preliminar, duke i marrë të gjitha të dhënat për ta konstatuar nëse ndërmarrjet përcaktuese të prodhimit të çimentos kanë abuzuar me çmimet e tyre”.

Vendimet që i merr AKK-ja sipas Prestreshit nuk janë më të apelueshme në këtë institucion, por vetëm në gjykatë.

Sipas tij, në të gjitha instancat ata kanë dalë fitues, ku sipas tij, vendimet e tyre janë të drejta, profesionale dhe të bazuara në ligj.

“Vendimet tona, nuk janë të apelueshme në Autoritet, ato janë direkt të apelueshme në Gjykatë. Herën e fundit që e kemi marrë një vendim që është apeluar në Gjykatë, ka qenë vendimi për PTK-në, në të cilën Autoriteti ka dal fitues në të gjitha instancat dhe jemi duke i fituar lëndët sepse vendimet tona janë të drejta, profesionale dhe të bazuara në ligj. Andaj po, ankesa nuk ka në autoritet, ato drejtë apelohen në gjykatë”, ka thënë ai.

Plani i tyre për këtë vit është monitorimi i tregut, sidomos tregjet e ndjeshme siç është tregu i telekomunikacionit, i energjisë, i prodhimeve të ndryshme ushqimore dhe tregjet e tjera që potencialisht mund të ketë çrregullime të konkurrencës.

Lexo më shumë:

Të ngjashme