Dhjetëra persona protestojnë sërish, kërcënojnë menaxhmentin e Trepçës

Prishtinë | 11 Shk 2020 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Dhjetëra persona kanë protestuar sërish sot para objektit të menaxhmentit të ndërmarrjes “Trepça” në Mitrovicë, duke shprehur pakënaqësitë e tyre me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje.

Ata dhanë ultimatum që tre kërkesat e tyre kryesore, dorëheqja e menaxhmentit, bordit, si dhe anulimi i konkursit, të përmbushen deri sot në orën 14:00, në të kundërtën, paralajmëruan nga nesër protesta më masive para hyrjes së minierës në Stantërg.

Protestuesit bllokuan edhe sot për rreth gjysmë ore rrugën, duke pamundësuar kështu qarkullimin e automjeteve nga drejtimi i Prishtinës dhe Stantërgut për në qendër të qytetit të Mitrovicës.

Arsim Musa, në emër të këshillit protestues, ka thënë se në rast të mos përmbushjes së kërkesave të tyre deri në orën 14:00 të ditës së sotme, protestat do të vazhdojnë të mërkurën para objektit të minierës së Trepçës në Stantërg, dhe do të jenë më masovike.

Ndërkaq, menaxheri i Trepçës, Basri Ibrahimi, tha se konkursin mund ta anulojnë vetëm institucionet më të larta, nëse konstatojnë ndonjë shkelje të procedurave gjatë procesit të pranimit.

Ndërsa, sa i përket çështjes së dorëheqjes, ai nuk e sheh si zgjidhjen më të mirë, duke thënë se dorëheqja e tij nuk zgjidhë problemet sociale në Mitrovicë.

“Unë nuk kam të drejtë ta anuloj konkursin. Konkursin mund ta anuloj vetëm ndonjë institucion më i lartë se sa ne, në qoftë se konstatohet se është shkelur ndonjë procedurë ose ligj…Dorëheqjen nuk e shoh si ndonjë zgjidhje ose që i zgjidhë problemet sociale të Mitrovicës dhe as të Shalës. Jemi të vetëdijshëm që gjendja sociale në Mitrovicë është shumë e rëndë dhe kjo s’ka të bëjë fare me punën time”, theksoi Ibrahimi.

“Jepi zë” raporton, duke u thirrur në burime të saj, se prapa protestës janë dy persona që kanë ndikim të madh në “Trepçë”, dhe këtë protestë e kanë thirrur për shkak se nuk janë pranuar njerëzit e tyre.

Edhe sot, në protestë janë parë persona që kanë lidhje me parti politike. Por ka pasur edhe këso raste, ku disa prej të pranuarve kanë kërkuar të mos politizohet protesta.

“Mos e politizoni protestën. Unë jam në VV dhe jam pranuar”, ka thënë njëri nga ta.

Të ngjashme